[email protected]
Zyrtari i Ministrisë së Sportit në Serbi dezinformon për arrestim të shqiptarëve në Euro 2024
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në X (ish-Twitter), një zyrtar i Qeverisë Ministrisë së Sportit në Serbi ka pretenduar për arrestim të shqiptarëve në Euro 2024 për sulm ndaj tifozëve të Serbisë dhe për vandalizëm.

Urosh Pribiçeviq, që në uebfaqen e Ministrisë së Sportit në Serbi figuron të jetë në krye të Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Evropian, ka postuar të dielën një fotografi në të cilën shihen 15 persona e për të cilët ka aluduar se janë arrestuar për dhunë ndaj tifozëve serbë në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Gjermani.

Çka ka postuar zyrtari serb?

“Arrestohen tifozë të Anglisë për sulm ndaj tifozëve të Serbisë dhe vandalizëm. Fansat ‘anglezë”, ka shkruar Pribiçeviq në Twitter më 16 qershor.

Në fotografinë e publikuar janë 15 persona me emra e mbiemra në gjuhën shqipe.

Cila është e vërteta?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, del se kjo fotografi ishte publikuar në mars të vitit 2023. “Leicestermercury.co.uk” më 1 mars të atij viti kishte raportuar për “fytyrat e bandës që bënë më shumë se 2 milionë funte duke shitur kokainë nga bazat në qendrën e qytetit të Leicesterit”. Raportimi kishte të bënte me dënimin prej gati 90 vjetësh burgim të një grupi prej 16 personash.


Vegëza e postimit nw X (ish-Twitter) nga llogaria “Uroš Pribićević”:

https://ghostarchive.org/archive/9trG5


Lajmi për arrestimin e kësaj bande ishte raportuar edhe në mediat në gjuhën shqipe më 3 mars 2023. (shih këtu)

Të dielën, para ndeshjes së futbollit Angli-Serbi ka pasur përleshje fizike mes tifozerive të dy shteteve. Është raportuar për përfshirje të shqiptarëve në këtë rrahje, por jo edhe për arrestimin e tyre. (shih këtu)


Analiza:

Zyrtari i Ministrisë së Sportit në Serbi, Urosh Pribiçeviq, nëpërmjet një postimi në Twitter ka pretenduar për arrestim të shqiptarëve në mesin e tifozëve anglezë për sulm ndaj tifozëve të Serbisë në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Për këtë pretendim ai ka përdorur një fotografi me disa persona në emra e mbiemra në gjuhën shqipe. Pas verifikimit del se fotografia që ai ka përdorur është e vjetër dhe e publikuar në raportimin e marsit 2023 për dënimin e bandës me rreth 90 vjet burgim për kokainë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406