info@hibrid.info
Policia demanton pretendimet se arrestimi i 6 serbëve në veri u bë pa arsye
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Mbrëmë (25 shkurt) pas mesnatës, Policia e Kosovës ka intervenuar në një rast ku gjashtë të rinj serbë në Mitrovicë të Veriut, në gjendje të dehur, kanë qenë duke u përleshur mes vete.

Të gjashtit janë arrestuar, për të cilët pretendohet se janë arrestuar pa arsye.

Një person që thuhet të ketë qenë i përfshirë në këtë rast ka dhënë një deklaratë të cilën e ka publikuar aktivisti dhe politikani serb nga veriu i Kosovës Alleksandar Arsenijeviq, në profilin e tij në Facebook, i cili pretendon se arrestimi i tyre është bërë pa ndonjë arsye.

Për këtë ngjarje është raportuar edhe në rrjetin social Telegram, në kanalin në gjuhën serbe “БУНКЕР”, ku thuhet: “Terroristët shqiptarë mbrëmë në KeM kanë arrestuar gjashtë të rinj serbë pa asnjë arsye, duke përdorur forcë”.

Çka ndodhi mbrëmë?

Aktivisti dhe politikani serb nga veriu i Kosovës, Alleksandar Arsenijeviq, ka publikuar disa pamje për të cilat pretendon se janë nga momenti i arrestimit të gjashtë të rinjve serbë në veri, mbrëmë pas mesnatës në veri.

Veç këtyre pamjeve, ai ka biseduar edhe me një person, për të cilin thotë të ketë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Hibrid.info e ka dëgjuar rrëfimin e këtij të riu, i cili pretendon se gjashtë deri në shtatë persona janë arrestuar pasi të njëjtit, gjithnjë sipas tij, kanë filluar të fjalosen me ç’rast thotë të ketë intervenuar policia, e cila, thotë ai, ka ndërhyrë duke përdorë forcën pa nevojë.

“Njerëzit tanë u arrestuan sonte absolutisht pa asnjë arsye. Është e vërtetë se nën ndikimin e alkoolit, ka ardhur deri te një grindje e lehtë mes nesh, por asgjë çka nuk ka mundur të zgjidhet. Natyrisht, Policia e Kosovës e ka përdorur forcën duke reaguar, ndoshta s’ka pasur nevojë të reagojë, dhe ka arrestuar gjashtë apo shtatë nga anëtarët tanë. Djemtë absolutisht nuk kanë shfaqur kurrfarë agresiviteti, vetëm mosmarrëveshja që ka qenë mes nesh. Nuk e kemi rrezikuar askënd, as sigurinë apo qetësinë këtu në rrugë, ata thjesht e shfrytëzuan këtë rast që neve të na bëjnë dofarë huliganësh, ose si të them, problematikësh, në mënyrë që të na arrestojnë, kanë përdorur dhunë që s’ka qenë fare e nevojshme”, thotë ky i ri serb.

Ai pyetet nga Arsenijeviq nëse është përdorur edhe gazi lotsjellës gjatë intervenimit. 

“Po, natyrisht, pa kurrfarë arsyeje. Tre a katër djem i kanë rrëzuar për toke, dhe ne s’kemi shfaqur kurrfarë rezistence ndaj arrestimit. As nuk e dimë se për çka janë arrestuar”, deklaroi ky i ri serb, që nuk u prezantua me emër e i cili pretendon të ketë qenë pjesë e ngjarjes.

Po ashtu, edhe në rrjetin social Telegram (këtu – “БУНКЕР”), janë publikuar pamje që pretendojnë se paraqesin arrestimin e të rinjve serbë, e ku pretendohet pa bazë se arrestimi i tyre është bërë pa arsye.

Hibrid.info ka hulumtuar për këtë rast, dhe e ka gjetur edhe komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast.

Sipas raportit zyrtar policor, arrestimi i gjashtë të rinjve serbë ka ardhur pasi me të intervenuar si pasojë e, siç thuhet, dyshimeve për një përleshje, ata janë sulmuar nga të rinjtë serbë, me ç’rast tre prej zyrtarëve policorë kanë pranuar trajtim mjekësor.

Në raportin e PK-së janë dhënë edhe detajet nga mostrat që u janë marrë të rinjve serbë nga testi i alkoolit, me ç’rast rezulton se të njëjtit kanë qenë nën ndikim të alkoolit.

“Me datë 25.02.2025 policia ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’. Alkool testi i të dyshuarve: 1. N.N. – 24 vjeçar 1.59 ‰, 2. N.N. – 26 vjeçar 1.62 ‰, 3. A.B. – 28 vjeçar 1.50 ‰, 4. A.B. – 30 vjeçar 1.57 ‰, 5. I.R. – 24 vjeçar 1.21 ‰, 6. B.D. – 19 vjeçar 1.84 ‰”.

“Arrestimi i të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme për përfshirje në një rast përleshje mes tyre që ka ndodhur me datë 25.02.2025 në rrugë ‘Kral Petri’ në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht para kafenesë ‘Tre sheshira’”.

“Pas ndërhyrjes së njësisë patrulluese për ta ndaluar rrahjen, të dyshuarit fillimisht i kanë ofenduar e më pas edhe i kanë sulmuar zyrtarët policorë, ku tre (3) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor”.

“Duke u treguar profesionale në kryerjen e detyrave, policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ku të dyshuarit pasi janë arrestuar janë sjellë në stacion policor ku ju është bërë matja me alkool test dhe të njëjtit kanë rezultuar se janë nën ndikim të alkoolit si më lartë, gjithashtu të gjithë të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor”.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku gashtë (6) personat e dyshuar me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, u tha në raportin e Policisë.


Analiza:

Gjashtë të rinj serbë janë arrestuar në orët e para të së martës (25 shkurt) në Mitrovicë të Veriut. Arrestimin e tyre e ka trajtuar aktivisti dhe politikani serb nga veriu, Alleksandar Aresnijeviq, i cili ka publikuar edhe disa pamje të cilat pretendon se janë nga aksioni, por edhe një bisedë me një të ri serb i cili pretendon të ketë qenë pjesë e ngjarjes.

Ky i ri serb pretendon se arrestimi i tyre është bërë pa nevojë e pa arsye, pasi thotë se ka pasur vetëm një mosmarrëveshje të vogël mes tyre e cila thotë se nuk ka pasur nevojë për intervenim policor.

Gjithashtu, edhe kanali në gjuhën serbe në Telegram, “Bunker”, ka publikuar një video për të cilën pretendon se është nga aksioni i arrestimit të të rinjve serbë, duke pretenduar se ata janë arrestuar pa ndonjë arsye.

Megjithatë, Policia e Kosovës, në një njoftim zyrtar, ka thënë se arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata, në gjendje të dehur, kanë sulmuar tre zyrtarë policorë të cilët kanë intervenuar në rast. Zyrtarët policorë thuhet se kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa ata dyshohen për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Prandaj, në bazë të metodologjisë së punës, Hibrid.info i cilëson këto raportime në mediat sociale si “Përmbajtje e pa verifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »