Shkroi: Fatbardh Dema
Imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (IA) po shpërndahen në mediat sociale, përfshirë Facebook-un, duke i paraqitur si fotografi reale.
Në këtë artikull sqarojmë se si përdoruesit po i marrin si reale këto përmbajtje tilla, të cilat shpesh dizajnohen për të tërhequr vëmendjen dhe për të gjeneruar ndërveprime, duke përfshirë pëlqime, komente e shpërndarjen.
Hibrid.info ka arritur të gjejë dy imazhe të cilat po shpërndahen nëpër shumë faqe në Facebook, duke grumbulluar mijëra pëlqime e komente.
Duke u bazuar në kohën e publikimit, ky imazh së pari u gjet i publikuar në faqen “Momenti” në Facebook. Deri në shkrimin e këtij artikulli, kjo përmbajtje ka grumbulluar mbi 1 mijë pëlqime. (shih fotografinë më poshtë)

E njëjta përmbajtje u publikua edhe në faqet tjera në Facebook si “Kosova e Re”, “Mitrovica Ime”, “N’Shqiptari”, “Gazeta Flash24”, “Drenica Sot”, “Gazeta Flash24”, “Kombi Shqiptar” dhe “Busulla e Jetes”.
Hibrid.info ka kontrolluar përmes “HiveModeration.com”, platformë për detektimin e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, në bazë të vlerësimit të së cilës, mund të konstatohet se fotografia e trajtuar nuk është reale, por përmbajtje e gjeneruar nga IA. (shih fotografinë më poshtë)

Një imazh tjetër u gjet i publikuar në faqen “Telegrami Sot”, e që deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 500 pëlqime. (shih fotografinë më poshtë)

I njëjti më pas u publikua edhe nga faqet tjera si “Realiteti” dhe “Gostivari City”.
Hibrid.info ka kontrolluar edhe këtë imazh përmes “HiveModeration.com”, ku u konstatua se i njëjti është gjeneruar nga IA.

Me përmirësimin e IA, duket se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohen imazhet e krijuara nga IA nga ato të vërteta. Përdoruesit duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të verifikojnë burimet e imazheve për të shmangur mashtrimet.
Ekzistojnë disa platforma falas që mund t’i përdorni për të verifikuar nëse një imazh është i krijuar nga AI ose është manipuluar.