Në median sociale “Telegram” është publikuar një postim dje (11 gusht) me pretendimin se Policia e Kosovës ka sulmuar me armë dhe bombë 5 serbë në veri të Kosovës.
Kanali në Telegram në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духа” (shqip: rebelimi është një gjendje shpirtërore) ka pretenduar se, siç përshkruhet “terroristët shqiptar” mbrëmë “gjatë arrestimit/rrëmbimit për gjoja kontrabandë qëlluan dhe hodhën bombë në drejtim të serbëve”.
Megjithatë, përpos që pretendimi është i pabazuar në fakte, i njëjti është demantuar nga Policia e Kosovës.
Vegëza e postimit nga kanali “БУНТ је стање духа” në Telegram:

Ky postim i publikuar dje (21 korrik) deri në shkrimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 19 mijë shikime.
Kanali në Telegram në gjuhën serbe që mbanë emrin “БУНТ је стање духа”, nuk ofron informacione rreth pronësisë dhe përmbajtjes që krijon publikon.
Ky kanal, për pretendimin e bërë nuk ofron fakte si, ato vizuele (fotografi/video), deklarata të përfshirëve në ngjarje, apo të ndonjë institucioni që është përgjegjës për sigurinë në veri të Kosovës (Policia e Kosovës, KFOR, EULEX).
Në postimin e bërë, përveç pretendimit, janë përfshirë edhe dy fotografi, ku shihen tre meshkuj (mosha e të cilëve nuk dihet), për të cilët, ky kanal pretendon që janë (Zhelko Koshanin, Jovan Gjukiq dhe Marko Milkoviq) të arrestuarit serbë në këtë rast.
Hibrid.info pas kërkimeve të bëra nuk ka gjetur ndonjë raportim medial apo komunikatë zyrtare lidhur me identitetin e serbëve të arrestuar. Në media është bërë publik vetëm emri i të arrestuarit shqiptar, e që është Besim Zeqiri apo i njohur ndryshe si “Kaça”. (këtu)
Të gjitha raportimet në media, për aq sa ka arritur t’i sigurojë hibrid.info përmes kërkimit në platformat digjitale, janë të bazuara kryesisht në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës rreth aksionit të djeshëm (11 gusht) në veri.
Lidhur me ngjarjen që ka ndodhur në veri Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje rastin, duke e bërë të ditur se janë sulmuar nga një grup personash, teksa kanë qenë duke e luftuar kontrabandën në veri, ndaj të cilëve janë detyruar të përdorin armët e zjarrit për të evituar rrezikun.
“Për vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur pajisjet zyrtare konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.” (këtu)
Siç bënë të ditur Policia, ky intervenim i tyre erdhi në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, ku në këtë rast ka arrestuar 5 persona (4 serb dhe një shqiptar) dhe janë sekuestruar 4 vetura ku në njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia.
Në postimin e tyre në Facebook Policia ofron edhe fotografitë ku shihet një kombi i tipit Mercedes dhe disa paketime brenda në të.
Policia ndaj rastit ka reaguar në kuadër të parandalimit të kontrabandës në veri dhe mesin e të arrestuarve jo të gjithë ishin të komunitetit serb. Pra, sulmi nuk ishte drejtuar ndaj komunitetit serb, siç pretendohet në postimin e bërë nga ky kanal në Telegram.
Analiza:
Nga kontrolli i fakteve dhe analiza e tyre rezulton se pretendimi i bërë nga “БУНТ је стање духа” është tërësisht i pabazuar. Faktet që ky kanal në Telegram pretendon se i paraqet për të përshkruar pretendimin e bërë, nuk janë të verifikuara.
Për më tepër, të gjitha adresat që mund të jenë më kredibile në përshkrimin e situatës (mediat, Policia e Kosovës, KFOR, EULX dhe institucione tjera) nuk kanë dal me ndonjë reagim që është i ngjashëm me pretendimin e këtij kanali në Telegram.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “dezinformatë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.