Termi dezinformim përdoret në përgjithësi për t’iu referuar përpjekjeve të qëllimshme (dhe shpesh të orkestruara) për të çorientuar apo manipuluar publikun nëpërmjet shpërndarjes së informacioneve mashtruese. Në kuadër të kësaj si “Dezinformatë” vlerësohet ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit. Dezinformata mund të përhapet përmes mediumeve të ndryshme, të tilla si media sociale, artikuj lajmesh, video ose imazhe. Shpesh përhapet nga individë ose grupe me motive politike, ideologjike ose financiare.
Autorët e dezinformatës përfitojnë nga pikat e dobëta, apo njëanshmëria, e marrësve të mesazhit, dhe shpresojnë që këta të fundit të kthehen në shpërndarës dhe përforcues të mesazheve të rreme. Në këtë mënyrë mundohen të na nxitin që të kthehemi në përçues të mesazheve të tyre, duke shfrytëzuar prirjen tonë për të shkëmbyer informacione me të tjerët, për arsye nga më të ndryshmet.
Qëllimi i tyre jo domosdoshmërisht është bindja e publikut për vërtetësinë e informacioneve të rreme, pasi që për ta mjafton që të hidhet një hije dyshimi mbi saktësinë e informacionit të publikuar nga gazetarët.
Dezinformimi mund të marrë shumë forma, duke përfshirë:
Informacionin e rremë: Ky është informacion i sajuar plotësisht, pa asnjë bazë në fakt. për të manipuluar opinionet e njerëzve për një temë ose çështje të caktuar. Artikulli mund të përfshijë citate mashtruese, imazhe ose video të manipuluara ose taktika të tjera për ta bërë atë të duket legjitime. P.sh. “Çaji i rusit po i bënë për spital qytetarët e Kosovës” : Titulli i këtij artikulli është i sajuar dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes. (këtu)
Informacionin mashtrues: Ky është informacion që është teknikisht i vërtetë, por i paraqitur në një mënyrë që synon të mashtrojë. Pra, mund të jetë një titull mashtrues që keqinterpreton përmbajtjen e një artikulli lajmesh. P.sh. “LAJMI I FUNDIT: Tahir Sylaj jep lajmin e madh, bëhuni gati se do mbahet mend ky dimer”: Rënia e temperaturave është interpretuar në mënyrë mashtruese në titull. (këtu)
Informacionin e manipuluar: Ky është informacion që është ndryshuar ose modifikuar për të keqinterpretuar ngjarje ose ide. P.sh. “Albin Kurti ka shpenzuar 20 mijë euro për t’i ndërruar mobiliet e zyrës”: Pas verifikimit të fakteve të kryer është vërtetuar se nuk janë shpenzuar 20 mijë euro për ndërrimin e mobilieve në zyre, por afër 10 mijë. (këtu)
Teoritë konspirative: Këto janë shpjegime të përpunuara dhe shpesh të pabaza për ngjarje ose situata. Një teori konspirative mund të pretendojë se një ngjarje e veçantë, si një sulm terrorist ose një fatkeqësi natyrore, është organizuar në fakt nga qeveria ose një grup tjetër, pa asnjë provë për të mbështetur pretendimin. P.sh. “KURTI DO LUFTË NË MARS! Prishtina vazhdon provokimet me vetëm një qëllim”: nuk ofrojnë fakte konkrete dhe interpretojnë deklarata në mënyrë tendencioze. (këtu)
Dezinformimi mund të ketë pasoja të rënda, si gërryerja e besimit në institucione, përhapja e frikës dhe panikut dhe nxitja e dhunës. Është e rëndësishme të krijohet vetëdija për dezinformimin dhe të vlerësohen në mënyrë kritike burimet dhe përmbajtja e informacionit përpara se ta shpërndahen. Nëse dyshohet se një artikull ose një pjesë e informacionit po përhap dezinformatë, është e rëndësishme të bëhet e ditur apo të raportohet tek organizatat që kontrollojnë faktet.