Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes titullit të një artikulli u pretendua se eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka deklaruar se “Në kufi me Kosovën ka 22 baza ushtarake serbe, qytetarët marrin armë”.
Artikulli me këtë titull u publikua dje (2 dhjetor) nga portali i televizioni TopChannel, “top-channel.tv”.
Çka nuk shkon me këtë titull?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, krahas titullit, në përmbajtjen e artikullit të publikuar nga “top-channel.tv” në asnjë rast nuk përmendet që Shala të ketë thënë “qytetarët marrin armë”.

Shala ishte i ftuar në emisionin “Top Story” për të biseduar rreth shpërthimit që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e ujit “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok.
Hibrid.info ka gjetur video-materialin e shkëputur nga ky emision, i cili gjendet edhe në artikullin e “Top-Channel.tv”, ku Shala në asnjë rast nuk dëgjohet të ketë përmendur fjalinë “qytetarët marrin armë”. (shih këtu)
Po ashtu, një fjali e tillë nuk është thënë nga Shala në asnjë rast gjatë këtij emisioni. (shih këtu emisionin e plotë)
Çka tha Shala?
Shala ka folur në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 29 nëntor në kanalin “Ibër-Lepenc”, ndërsa ka përmendur se Serbia, në kufi me Kosovën, ka 22 baza ushtarake.
“Është një trajektore që kalon 350 kilometra brez kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në këtë brez janë të vendosura 22 baza ushtarake dhe 22 baza policore të xhandarmërisë serbe, të vendosura para 1980. Pas luftës së fundit ishin përdorur për të kryer aksione të caktuara logjistike në drejtim të Kosovës. Dhe nuk kanë lëvizur më që aty. Janë baza ushtarake që shfrytëzohen nga strukturat ushtarake serbe, ku pjesa më e madhe janë forca tokësore”, tha ndër të tjera ai.
Ky artikull i publikuar nga “top-channel.tv”, u shpërnda edhe nga disa media tjera në gjuhën shqipe, të cilat duket se nuk e kanë verifikuar përmbajtjen, duke e postuar atë me të njëjtin titull “Shala: Në kufi me Kosovën ka 22 baza ushtarake serbe, qytetarët marrin armë”. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Analiza:
Përmes titullit të një artikulli u pretendua se Drizan Shala, i cili flet në cilësinë e ekspertit të sigurisë, duke folur rreth bazave ushtarake serbe në kufi me Kosovën, ka përmendur edhe fjalinë “qytetarët marrin armë”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Shala në asnjë rast nuk ka bërë një deklaratë të tillë.
Ky artikull me këtë titull fillimisht u publikua nga portali “top-channel.tv”. Më pas i njëjti u shpërnda edhe në disa media tjera në gjuhën shqipe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.