Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një fotografi, në të cilën paraqiten disa persona me veshje ushtarake, përmes së cilës pretendohet se pamjet tregojnë paramilitarët serbë duke u bërë gati të hyjnë në Kosovë. Po ashtu, pretendohet se fotografia u realizua me dron nga inteligjenca amerikane.
Kjo fotografi me këtë pretendim, të cilës i është shtuar edhe emërtimi si “Lajmi i fundit” u publikua dje (2 korrik) në TikTok nga llogaria që mban emrin “sekreti_07”.
Çka qëndron prapa kësaj fotografie?
Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e vjetër (e publikuar më 4 shtator 2023) dhe paraqet disa pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Gjithashtu, imazhi nuk u shkrep nga inteligjenca amerikane, siç pretendohet. E njëjta u gjet e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi në datën e lartcekur.
Vegëza e postimit të publikuar në TikTok nga llogaria “sekreti_07”:

Pas hulumtimit përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info gjeti fotografinë e njëjtë të publikuar me datë 4 shtator 2023 në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi. (shih këtu)

Arsyeja pse hibrid.info ka vendosur ta trajtojë këtë përmbajtje, është se e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli ka arritur të grumbullojë mbi 100 mijë shikime e mbi 300 komente. (shih fotografitë më poshtë)


Analiza:
Përmes një fotografie të vjetër (shtator 2023) në të cilën paraqiten pjesëtarë të ushtrisë serbe, u pretendua rrejshëm se imazhi është aktual (2 korrik) dhe se i njëjti u shkrep nga droni i inteligjencës amerikane.
Gjithashtu, përmes përshkrimit pretendohet se fotografia paraqet paramilitarët serbë duke u bërë gati të hyjnë në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.