info@hibrid.info
Fotografia e një protestuesi në Novi Sad paraqitet pa fakte si dëshmi se po promovohet “Shqipëria e madhe”
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

“’Shqipëria e madhe’ në qendër të Novi Sadit! Kjo është prova e re që Rakiqi është satelit i Kurtit: Postimi i 1 dhjetorit flet gjithçka”, është titulli i një artikulli të së përditshmes në gjuhën serbe “Informer.rs”, i publikuar më 8 dhjetor, 2024.

Ky artikull me këtë titull është ilustruar me një fotografi të një protestuesi, i cili nga kjo media është identifikuar si Milosh Rakiq, gjatë protestave në Novi Sad, e i cili shihet me duar të kryqëzuara.

Nëpërmjet kësaj fotografie, media në fjalë madje tenton të lidhë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me këto protesta.

Çka thuhet në artikull?

Një pretendim i pabazuar është bërë i njohur në së paku një media serbe, ku një protestues i identifikuar si Millosh Rakiq pretendohet se ka bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenore në një protestë në Novi Sad, Serbi. Përmes saj, media pretendon se ideja e “Shqipërisë së madhe” po përhapet edhe në Serbi.

Madje, media “Informer”, protestuesin në fjalë e ka quajtur si “satelit” të kryeministrit Albin Kurti.

Këtë pretendim, kjo media e ka bazuar në një postim që thuhet se është bërë nga vetë Rakiqi në rrjetin social Instagram më 1 dhjetor, ku shkruan: “Kosova nuk është Serbi, që nga shpërnguljet e mëdha, e tani EJANI NË PROTESTË!!!”

Cila është e vërteta?

Pretendimi se protestuesi në fjalë ka bërë simbolin e shqiponjës dykrenore nuk është i saktë, meqë personi në fjalë i ka duart e kryqëzuara më larg njëra-tjetrës sesa forma me të cilën kryqëzohen duart për të krijuar simbolin e shqiponjës shqiptare.

Po ashtu, ndërlidhja e protestuesit të identifikuar si Millosh Rakiq me kryeministrin Albin Kurti është e pabazuar. Të njëjtit, së paku në të dhënat publike në internet, nuk del të jenë takuar asnjëherë bashkë, apo të kenë pasur ndonjë ndërveprim të çfarëdollojshëm.

Çka dihet për protestat në Novi Sad?

Protestat në Novi Sad janë intensifikuar pas një ngjarjeje tragjike më 1 nëntor 2024, kur çatia e stacionit të trenit të qytetit u shemb, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave dhe duke lënduar disa të tjerë. Shembja ndodhi papritur, me shumë viktima që ishin duke qëndruar ulur ose duke kaluar poshtë çatisë së betonit. Në përgjigje, protestat kanë shpërthyer në të gjithë Serbinë, duke kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat. Protestuesit kanë theksuar korrupsionin e dyshuar dhe praktikat e dobëta të ndërtimit si shkaktarë të tragjedisë, duke nxjerrë në pah përfshirjen e kompanive ndërtuese kineze në rinovimet e fundit. Ka pasur gjithashtu kërkesa për dorëheqjen e zyrtarëve të qeverisë, përfshirë kryeministrin Alleksandar Vuçiq dhe ministrin e Ndërtimit, Goran Vesiq, për akuzat se kanë menaxhuar keq procesin e rinovimit.​


Analiza:

Një pretendim i pabazuar është publikuar më së paku një media serbe, ku një fotografi e një personi të identifikuar si Millosh Rakiq është tentuar të ndërlidhet me “Shqipërinë e madhe”.

Pretendimi ka ardhur nga një fotografi e nxjerrë nga një protestë në Novi Sad, Serbi, në të cilën shihet një qytetar që ka duart e kryqëzuara, që ngjason pak me simbolin e shqiponjës dykrenore, mirëpo duart janë të pozicionuara më larg njëra-tjetrës. Kjo media në gjuhën serbe ka përdorur këtë fotografi për të lidhur personin me kryeministrin e Kosovës, duke e etiketuar atë si një “satelit” të Kurtit.

Po ashtu, në artikull është publikuar edhe një postim që thuhet të jetë i personit Millosh Rakiq, i bërë në Instagram, e ku, ndër të tjera, thuhet “Kosova nuk është Serbi”.

Pretendimi është i paqëndrueshëm në tërësi, pasi nuk mbështetet në fakte dhe nuk ka asnjë provë që lidh fotografinë dhe mesazhin me kryeministrin Kurti.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “Teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »