info@hibrid.info
Hibrid.info pjesë në krijimin e databazës më të madhe të kontrollit të fakteve për zgjedhjet evropiane
shape
shape
shape

Hibrid.info po bashkëpunon në një projekt me Rrjetin Evropian të Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) dhe një koalicion prej mbi 40 organizatash që kontrollojnë faktet në të gjithë Evropën për krijimin e një baze të të dhënave gjithëpërfshirëse të kontrollit të fakteve, të fokusuar në zgjedhjet e vitit 2024 për Parlamentin Evropian, mbështetur nga Google.

Kjo databazë e hapur, e para e llojit të vet, i mbledh dhe i kategorizon kontrollet e fakteve politike, demaskimin e dezinformatave, artikujt demaskues paraprakë dhe raportet narrative mbi tendencat transkontinentale të raportuara nga koalicioni prej 40+ organizatash që kontrollojnë fakte në të gjithë Evropën në një projekt të njohur si “Elections24Check”.

Aty theksohen kontrollet mbi pretendimet e bëra në lidhje me zgjedhjet evropiane të vitit 2024. Përdoruesit mund të kërkojnë dhe filtrojnë artikuj në gjuhë të ndryshme, që kanë të bëjnë me vende dhe parti specifike politike dhe që kanë të bëjnë me tema të caktuara, si ndryshimi i klimës, siguria dhe mbrojtja. Qëllimi është që të rritet bashkëpunimi i vendeve dhe të veprojë si burim për qytetarët evropianë para zgjedhjeve të qershorit. 

Si pjesë e projektit, do të jenë në dispozicion edhe informata statistikore për trendet dezinformuese gjatë zgjedhjeve.

Organizatat pjesëmarrëse të kontrollit të fakteve po ashtu do të publikojnë raporte që analizojnë të dhënat.

“Elections24Check do të ofrojë një sistem të hershëm të detektimit të keqinformatave online për tërë kontinentin. Organizatat pjesëmarrëse të kontrollit të fakteve nuk mbulojnë vetëm Bashkimin Evropian, por edhe komunitetin më të gjerë, të shteteve evropiane fqinje po ashtu. Kjo është e rëndësishme sepse keqinformata tejkalon kufijtë”, ka thënë kryetari i EFSCSN, Carlos Hernández-Echevarría.

“Jemi krenarë të mbështesin punën e organizatave të kontrolluesve të fakteve në Evropë në një kohë kyçe, teksa keqinformatat për zgjedhje mund t’i tejkalojnë kufijtë dhe rrezikojnë t’i minojnë proceset demokratike. Kjo iniciativë, e udhëhequr nga EFCSN dhe 40+ organizatat anëtare, do ta mbështesë informacionin cilësor për votuesit dhe do të hapë rrugën për koalicione zgjedhore në të ardhmen”, ka thënë zëvendëspresidentja për Çështje Qeverisëse dhe Politika Publike për Evropën në Google, Annette Kroeber-Riel.

Organizatat kontribuuese të kontrollit të fakteve janë zotuar për transparencë, përsosmëri gazetareske dhe të paanshme, të fokusuara në shërbimin e interesit publik siç përcaktohet në Kodin Evropian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Kontrollit të Fakteve.

Baza e të dhënave: https://elections24.efcsn.com/.

Share With Others

Translate »