Portali informativ “Kosova Sot” bazuar në një deklarim në Facebook, të Avdullah Hotit, deputet i Kuvendit të Kosovës, ka publikuar një artikull me titull “Hoti: Me rezervat shtetërore është bërë pazar, ky pushtet duhet larguar sa më parë”.
I njëjti artikull është publikuar në Facebook bashkangjitur si vegëz, imazhit të ish-kryeministrit Hoti në të cilin shkruan “Avdullah Hoti: Qeveria Kurti e ka humbur rrugën dhe duhet larguar sa më parë”.
Mirëpo pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se në mbishkrimin e këtij postimi në Facebook, është shtuar deklarata se ish-kryeministri Hoti është deklaruar se “ka ardhur koha e LDK-së”, deklarim të cilin nuk e gjejmë as në artikullin e publikuar në ueb-faqen e “Kosova Sot” e as në postimin e Hotit në Facebook.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja e portalit “Kosova-sot.info”:
Artikulli mbi deklarimin e ish-kryeministrit Hoti, është publikuar edhe në ueb-faqen e portalit “Kosova Sot”, në të cilin nuk është gjetur deklarata e pretenduar se Hoti është shprehur se ka ardhur koha e LDK-së. (shih këtu)
Statusi i plotë i ish-kryeministrit Hoti në Facebook:
Me rezervat shtetërore është bërë pazar nga persona privat (sipas deklarimit në media). Ndërkaq, Ministrja sot e ka hallin se zyrtarët policorë, të cilët sot i kanë konfiskuar materialet nga Ministria, nuk kanë certifikatë të sigurisë për qasje në dokumentacion për rezervat shtetërore.
Ky pushtet e ka humbur rrugën dhe duhet larguar sa më parë. (këtu)
Analiza:
Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, pretendimi i portalit informativ në një postim në Facebook, se ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka deklaruar se ka ardhur koha e LDK-së, nuk qëndron.
Një deklarim i tillë i Hotit nuk është gjetur as në statusin e tij në Facebook, të cilit i është referuar portali e as në artikullin e vet portalit, të publikuar në ueb-faqe në lidhje me këtë deklarim.
Prandaj edhe për këtë arsye, hibrid.info, duke u bazuar në metodologjinë e punës e vlerëson këtë pretendim të Kosova-soti.info si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.