Portali informativ “Kosova-sot.info” në faqen e tij zyrtare në Facebook ka publikuar një postim, duke pretenduar se deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, është shprehur se vendi lulëzonte kur ai ishte kryeministër i Kosovës.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, për këtë postim, portali i lartcekur i është referuar një shkrimi të Hotit në llogarinë e tij në Facebook, i cili kishte kritikuar Qeverinë aktuale.
Mirëpo, në këtë postim të tijin, përveç kritikave ndaj Qeverisë, ai nuk është shprehur se vendi lulëzonte në kohën kur ai ishte kryeministër.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja e portalit “Kosova-sot.info”:
Statusi i plotë i ish-kryeministrit Hoti në Facebook:
Kosova kurrë nuk ka qenë më keq në politikën e brendshme e të jashtme.
Kurrë nuk ka pasur sanksione dhe kurrë nuk i ka pasur të cenuara raportet me aleatët.
Kurrë nuk ka pasur më shumë kontrata njëburimore për projekte kapitale.
Kurrë nuk ka qenë më keq gjendja me investime kapitale në rrugë e në projekte të tjera.
Kurrë nuk ka qenë më i dobët bashkëpunimi i Qeverisë me komunat.
Kurrë nuk ka qenë më i keq bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sindikatave e shoqërisë civile.
Kurrë nuk ka qenë më e mbyllur e më linçuese Qeveria ndaj mediave.
Kurrë nuk janë sulmuar deputetët e opozitës në parlament nga Qeveria.
Kurrë nuk janë mbyllur spitalet rajonale apo klinikat e QKUK-së për operacione të pacientëve.
Kurrë nuk ka qenë gjendja më keq në komunat në veri se tani.
Si rezultat, kurrë më shumë qytetarë nuk kanë emigruar se në këto dy vite (përveç gjatë viteve të 1990-ta). Kurrë më shumë qytetarë sesa tani nuk kanë shprehur gatishmëri për të emigruar: 57% e qytetarëve duan të emigrojnë. (këtu)
Analiza:
Bazuar në verifikimin e fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se portali “Kosova-sot.info” në faqen e tij në Facebook, ka pretenduar rrejshëm se ish-kryeministri Hoti ka thënë se vendi ka lulëzuar në kohën e tij, sa ishte kryeministër i Kosovës.
Në postimin e tij në Facebook, të cilës i është referuar “Kosova-sot.info”, Hoti ka kritikuar punën e qeverisë aktuale, por nuk ka bërë vlerësime për kohën e qeverisjes së tij.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të “Kosova Sot” si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.