Shkroi: Endrit Berisha
Nëpërmjet dy postimeve në TikTok është pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë parashikim në përqindje për kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjet e ardhshme.
“Nëse Kurti vazhdon me këtë qasje, në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë as 70% të votave” është citati që i është vendosur një imazhi të Hovenierit në dy postimet e llogarisë “folejadardanis” në TikTok të dielën (18 gusht).
Çka nuk shkon me këto publikime?
Pas verifikimit del se një deklaratë e tillë nuk është thënë nga Hovenier.
Hibrid.info ka kërkuar në makinat online të kërkimit me citatin e pretenduar (shih këtu). Nuk është gjetur asnjë lajm në ndonjë burim kredibil informacioni.
Në postimet në fjalë, në imazh është përdorur edhe logoja e mediumit në gjuhën shqipe “Sinjali”. Hibrid.info ka verifikuar në postimet në faqen e këtij mediumi në Facebook dhe nuk ka gjetur asnjë postim të tillë (Shih këtu).
Postimet e “folejadardanis” në TikTok:
Intervista e fundit në mediat në Kosovë e ambasadorit Hovenier ka qenë më 13 gusht për Radion Evropa e Lirë. Në intervistën e publikuar nuk përmendet çështja e zgjedhjeve të ardhshme. Ai aty ka folur për çështjen e planit të Qeverisë për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë.
Në të dyja postimet, kjo llogari ka marrë rreth 70 mijë shikime bashkërisht. Njëra i ka mbi 660 pëlqime dhe 120 komente e tjetra 350 pëlqime e mbi 75 komente. Ndër komentet shihet se ka përdorues të TikTokut që e kanë marrë imazhin si të mirëqenë e të tjerë që e kanë vënë në dyshim. Kjo është arsyeja përse materiali po trajtohet nga hibrid.info.
Zgjedhjet e ardhshme janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025 (Shih këtu).
Analiza:
Në dy postime në TikTok, llogaria “folejadardanis” ka pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë parashikime për rezultate për zgjedhjet e ardhshme për kryeministrin Albin Kurti.
Pas verifikimit nga hibrid.info del se pretendimi në fjalë nuk është gjetur në asnjë medium kredibil informacioni. Përmbajtja nuk gjendet as në faqen logoja e së cilës është përdorur në imazh. Kjo temë nuk është përmendur fare në intervistën e fundit publike të ambasadorit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson postimet e publikuara në Facebook si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.