Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një artikull i titulluar, “Kurti ende hedh vicka: Jam me Evropën e jo me amerikanët”.
Kjo përmbajtje është publikuar të martën (25 mars) nga mediumi “Nacionale.com”.
Çka nuk është në rregull me titullin?
Hibrid.info vlerëson se forma në të cilën është shkruar titulli, lë të kuptohet se deklarata e paraqitur aty është bërë së fundmi nga Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Për të shpjeguar pse ky titull nuk është në rregull, hibrid.info ka hulumtuar për kuptimin e shenjës së pikësimit të paraqitur në titull, dy pikat (:).
Sipas fjalorit të Kembrixhit, dy pikat përdoren për të prezantuar lista për të treguar një nëntitull ose ndarje të një teme, për të prezantuar citate të drejtpërdrejta dhe përdoret midis dy fjalish, kur fjalia e dytë shpjegon fjalinë e parë (shih më shumë).
Në këtë rast, pas shenjës së dy pikave, është paraqitur deklarata, “Jam me Evropën e jo me amerikanët”.
Por, në brendësi të artikullit, kuptohet se mos përgjigjja e kryeministrit Kurti rreth mundësisë për t’u takuar me përfaqësues të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, është interpretuar si sinjal antiamerikan. Ky vlerësim është bërë nga historiani serb Stefan Radojkoviq, në një deklaratë për portalin online në gjuhën serbe, “KosovoOnline” (shih këtu).
Në artikullin e trajtuar është bashkëngjitur vegëza e lajmit të publikuar në “KosovoOnline”, me titullin, “Radojkoviq: Kurti i dërgon mesazh Evropës se është i tyre, jo “lojtar” i SHBA-së”, çka dëshmon se kjo deklaratë nuk ka ardhur nga Kurti (lexo këtu).
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google” për një deklaratë të tillë të Kurtit, çfarë është paraqitur në titull, por rezultatet nuk kanë shfaqur asnjë rezultat (shih këtu).
Në kërkimin e mëtejshëm, janë gjetur artikuj të disa mediave në gjuhën shqipe, të cilat kanë raportuar se Kurti në vitin 2020 kishte thënë se, “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë” (këtu).
Analiza:
Në bazë të një titulli të një artikulli lihet të kuptohet se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ai është me Evropën e jo me amerikanët.
Por, në përmbajtje kuptohet se kemi të bëjmë me një vlerësim të një historiani serb, e jo të kryeministrit Kurti. Historiani serb e ka dhënë këtë vlerësim pas mos takimit të Kurtit me përfaqësues të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.