info@hibrid.info
Interpretimi në titull, i manipuluar
shape
shape
shape

Mediumi serb “Blic.rs” sot (11 gusht) ka publikuar një artikull me titull “Kurti tund armët dhe bën thirrje për luftë”: Petkoviq: Fushata e sinkronizuar kundër serbëve në punë”. Artikulli mbështetet në një postim të drejtorin e zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili interpreton deklaratat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si parapërgatitje dhe thirrje për luftë.

Reagimi i Petkoviq u bë përmes një komunikatë të publikuar sot (11 gusht) në llogarinë e tij në Twitter. (shih këtu)

Hibrid.info pas verifikimit të fakteve ka parë se deklarata e këtij zyrtari të lartë serb, e bërë përmes llogarisë së tij në Twitter, është e pabazuar. Në fakt, ajo që mund  të vërehet nga përmbajtja e këtij postimi, është interpretim me qëllim devijimi të deklaratave të përfaqësuesve politikë e institucionalë të Kosovës.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Blic.rs”:

https://www.blic.rs/vesti/politika/kurti-zvecka-oruzjem-i-priziva-rat-petkovic-na-delu-sinhronizovana-kampanja-protiv/zp186fn


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Blic.rs”:

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka vlerësuar se sot është duke u zhvilluar fushata e sinkronizuar e Prishtinës kundër serbëve.

Kryeministri i institucioneve të përkohshme të Prishtinës mbrëmë ka përsëritur akuzat ndaj Serbisë për gjoja sulme të mundshme në Kosovë dhe Metohi, ndërsa ka pohuar se Prishtina është e gatshme të mbrohet.

Ata që janë vatër krimi duan të kriminalizojnë serbët në veri – ka shtuar Petkoviq në një postim në Twitter.


Artikulli i publikuar në “blic.rs” paraqet deklaratën e shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili pretendon rrejshëm se “Albin Kurti tund armët dhe bënë thirrje për luftë”.

Me gjasë, këtë pretendim, Petkoviq e ka ndërtuar duke e ndërlidhur me deklaratat e përfaqësuesve të lartë politikë e institucionalë të Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti, për rrezikun e një konflikti të mundshëm në rajon, si dhe për nivelin e gatishmërisë së institucioneve kosovare të sigurisë, për të mbrojtur vendin.

Në disa intervista të dhëna për media të huaja (gazetar italiane “La Republica”, “Radio Evropa e Lirë”) dhe së fundmi edhe dje (10 gusht) në intervistën për agjencinë e lajmeve Reuters, Kurti kishte paralajmëruar për rrezikun për një konflikt, por jo edhe kërcënuar me luftë, siç pretendon Petkoviq.


Pjesë nga intervista e Albin Kurtit dhënë për Reuters:

“Nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në një sulm kundër Kosovës, në njërën apo tjetrën mënyrë. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”. (shih këtu)


Ky pretendim i Petkoviqit është publikuar në artikujt e disa mediave në gjuhën serbe, duke e cituar në mënyrë të njëanshme atë, pa e ballafaquar edhe me deklaratat Prishtinës zyrtare. (shih shembujt këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurti të bëra së fundmi për mediat ndërkombëtare, duket se janë keqinterpretuar Petar Petkoviq, duke i cilësuar ato si “tundje armësh dhe thirrje për luftë”.

Albin Kurti, në intervistën e dhënë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, deklaron se: “nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, deklaratë që nuk le hapësirë për interpretimet e bëra nga Petar Petkoviq.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson deklaratën e Petar Petkoviqit si “Manipulim i fakteve” dhe raportimin e mediumit serb si “I njëanshëm”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato raportime mediatike që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »