Në vitin 2023, sa i përket zhvillimeve vendore, Veriu i Kosovës në përgjithësi dhe rasti i sulmit të armatosur në Banjskë në veçanti, janë temat kryesore për të cilat u keqinformua në ekosistemin informativ në gjuhën shqipe dhe serbe.
Veriu
Në gjysmën e parë të vitit (Janar-Qershor) u keqinformua për tema të ndryshme në veri në kontekst të zhvillimeve lidhur me tensionet e herëpashershme, si dhe shtrembërimin e situatës për gjendjen e komunitetit serb në atë pjesë të vendit.
Kjo mund t’i atribuohet jo vetëm zhvillimeve lidhur me këtë temë, por edhe faktit se Qeveria e Kosovës e ka vënë si prioritetin kryesor dialogun Kosovë-Serbi, ku veriu është pjesë kyçe e dialogut, si dhe debateve në televizionet me frekuenca kombëtare në Kosovë, të cilat i kushtojnë një rëndësi të madhe debateve politike dhe veriu është pjesë e pashmangshme e këtyre debateve nga komentues e analistë të ngjarjeve politike. Të dy këto elemente ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi edhe të krijohen e shpërndahen keqinformime për veriun nga mediat në gjuhën shqipe.
Përveç kësaj, edhe mediat në gjuhën serbe, në formë të vazhdueshme, publikojnë keqinformime për veriun e Kosovës duke pretenduar pa fakte dhe pa verifikim të informacioneve se qytetarët serbë në veri diskriminohen, frikësohen dhe kërcënohen nga institucionet shtetërore të Kosovës.
Sulmi terrorist në Banjskë
Më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur. Sulmi ndodhi në Banjskë të komunës së Zveçanit, në veri të Kosovës. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra në sulm dhe disa policë të tjerë u plagosën. Autoritetet e Kosovës më pas njoftuan se gjatë shkëmbimit të zjarrit janë vrarë tre sulmues të dyshuar.
Pasi që u bë e ditur se janë vrarë disa nga sulmuesit serbë, në media sociale filluan të qarkullojnë disa fotografi dhe video duke pretenduar se identifikojnë të vrarët dhe varrimin e tyre, si dhe arrestimin e të dyshuarve të tjerë (këtu, këtu)
Në vazhdën e keqinformatave lidhur me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator janë publikuar edhe disa fotografi të snajperistëve, duke pretenduar rrejshëm se janë të Policisë së Kosovës. (këtu, këtu)
Lidhur me numrin e vrarë të pjesëtarëve të grupit sulmues ka pasur spekulime të ndryshme gjatë ditës së 24 shtatorit. Portale të ndryshme informative kanë spekuluar me numrin e sulmuesve të vrarë, duke publikuar shifra si, gjashtë, tetë apo dhjetë.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë zuri vend edhe në mediat në gjuhën serbe, të cilat ndërtuan narrativën e tyre dezinformuese lidhur me ngjarjen.
Gjatë kohës kur kishte ndodhur sulmi ndaj Policisë së Kosovës dhe zhvillimet pas kësaj, në Serbi nuk kishte informacione në media.
Vetëm pasi në ora 20:00 i ishte drejtuar publikut presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në konflikt janë vrarë tre serbë nga Kosova, se ushtria dhe policia serbe nuk kanë marrë pjesë në sulm, por se serbët u rebeluan duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit.
Të nesërmen dhe pasnesërmen (25-26 shtator), të gjitha gazetat e afërta me pushtetin në Serbi krijuan narrativin dezinformues lidhur me ngjarjen e cila u shpalos në ballinat e tyre. Në ballinat e gazetave ishte ndërtuar narrativa dezinformuese se “terroristët e Kurtit po vrasin serbët”, “ngjarja ishte e inskenuar”, “Kurti kërkon gjak”, “qëllimi është spastrimi etnik i serbëve nga Kosova”. (këtu)
Në mesin e dezinformatave nga ana e zyrtarëve serbë, ishte edhe një audio-incizim, të cilin e ka përmendur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në konferencë për media në mbrëmjen e 24 shtatorit, nëpërmjet së cilit pretendohej se bëhet fjalë për një bisedë të policëve të Kosovës për njërin nga serbët e plagosur gjatë zhvillimeve të djeshme, duke pretenduar se ndihma për të lënduarit është lënë me qëllim, pasi një polic shqipton fjalinë: “Edhe sikur të vdesë, asgjë”. (këtu)
Po ashtu, Vuçiq dhe Petkoviq pretenduan se nuk i është lejuar misionit të BE-së në Kosovë, EULEX të marrë pjesë në operacionin e Policisë në Banjskë, pretendim ky i cili u demantua nga vet misioni i BE-së. (këtu)
Krahas kësaj drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendon rrejshëm së në mesin e Policisë së Kosovës gjatë aksionit në Banjskë kishte vrasës me pagesë që kishin qëllim të vrisnin të gjithë serbët, dhe për këtë nuk është lejuar që EULEX-i të marrë pjesë në këtë operacion.