Shkroi: Festim Rizanaj
Në mediumin në gjuhën serbe “Informer.rs” është publikuar një artikull sot me pretendimin në titull se kryeministri “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë!”.
Ky pretendim i referohet një deklarate të kryeministrit të Kosovës të bërë gjatë takimit me mërgatën në Stamboll, gjatë vizitës së tij më 2 qershor.
Pas verifikimit të deklaratës së Kurtit, është gjetur se ai nuk është deklaruar se është duke i përgatitur fëmijët për një luftë të re me serbët.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:
https://informer.rs/vesti/politika/915143/kurti-decu-u-skolama-sprema-za-rat-sa-srbima (archive)
Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer.rs”:
Gjatë qëndrimit në Turqi, i ashtuquajturi “kryeministri i Kosovës” Albin Kurti ka pasur një takim me diasporën atje, të cilëve u ka treguar për trajnimin e të ashtuquajturave “Forcat e Sigurisë së Kosovës” (FSK), duke thënë se “fëmijët në shkolla do të mësohen edhe si të mbrohet atdheu”!?
Çka foli Kurti me mërgatën në Stamboll?
Gjatë qëndrimit në Turqi, kryeministri Kurti pati një takim me komunitetin e mërgatës “Qendra Kulturore në Zeytinburnu/Zeytinburnu Kültür Merkezi”.
Duke i njoftuar për progresin e Kosovës deri më tani, kryeministri tha se katër fushat në të cilat janë bërë investimet më të mëdha janë: mbrojtja e siguria, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia. Në aspektin e sigurisë, ai potencoi edhe faktin e armatimit të FSK-së dhe për futjen e lëndës së edukimit për siguri në shkolla. (këtu)
“Moshën e kemi rritur për ushtarët prej 23 vjeç në 25 vjeç dhe e kemi pajisur ushtrinë tonë me armatim gjithnjë e më modern. Kemi blerë drona Bayraktar nga Turqia dhe raketa Javelin anti-tank nga Amerika. Në shkolla po e fusim lëndën Edukimi për Siguri, por gjithashtu po e bëjmë edhe mbrojtjen gjithpërfshirëse apo mbrojtjen totale ashtu që nëse na rrezikohet atdheu, vatani, atëherë secili qytetar do ta ketë rolin, funksionin e vet në mbrojtje e në siguri. Pra, mbrojtja gjithëpërfshirëse në njërën anë dhe edukimi për siguri nëpër shkolla në anën tjetër janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe Qeveria jonë tashmë ka filluar me përpilimin e zbatimin e këtyre”.
Kjo është pjesa deklarative e Kurtit, të cilës i referohet mediumi në gjuhën serbe për të krijuar pretendimin se “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë”.
Kurti në deklaratën e tij nuk e përmend në asnjë rast ndonjë përgatitje të fëmijëve për luftë me serbët në Kosovë, e as ndonjë luftë tjetër, apo se lënda edukimi për siguri në shkolla e ka këtë qëllim.
Analiza:
Pretendohet pa fakte në titullin a artikulli të mediumit në gjuhën serbe, se Albin “Kurti po përgatit fëmijët në shkolla për një luftë të re me serbët në Kosovë!”.
Kurti në deklaratën e tij nuk përmend përgatitje të fëmijëve për luftë me serbët në Kosovë. Ai tha se lënda edukimi për siguri në shkolla ka qëllim sigurinë e vendit.
Bazur në metodologjinë e punës së Hibrid.info, kjo përmbajtje konsiderohet si “Teori konspirative”.
Arsyetimi
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.