Portali informativ “GazetaDemos.com” ka publikuar një artikull duke pretenduar se kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, ka thënë që është haram të shkohet në dasma.
Nga verifikimi i fakteve i kryer nga hibrid.info, del që ky pretendim është i pasaktë, pasi Jashari e ka thënë të kundërtën e asaj që pretendohet nga ky portal.
I ftuar në emisionin “Era Verë” në televizionin T7, ai është shprehur se martesa në Islam është “hallall” pra e lejuar dhe, sipas tij, hoxhallarët nuk do ishin martuar vetë, po të konsiderohej dasma si “haram”.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “GazetaDemos.com”:
Në postimin e këtij artikulli në Facebook, Gazeta Demos ka arritur të grumbullojë numër të madh komentesh e reagimesh. (shih këtu)

Megjithatë, ky portal këtë pretendim e ka nxjerrë nga artikulli i publikuar në “GazetaExpress.com”, që në përmbajtje të tij autori duket se ka gabuar në fjalinë “pasi në këtë periudhë të vitit organizimi i dasmave është më i madh, krye-imami tregon se është haram të shkohet në ahengje të tilla”. (shih artikullin këtu)
Pjesën nga intervista e kryeimamit Jashari ku flet për dasmat mund ta gjeni këtu.
Analiza:
Portali “GazetaDemos.com” ka publikuar një deklaratë të kryeimamit të Podujevës, Bekim Jashari, i cili ka thënë që në Islam lejohet të mbahen dasmat.
Mirëpo, këtij artikulli i është vënë titull i gabuar që pretendon se kryeimami ka thënë të kundërtën.
Megjithatë, në artikullin autentik të “GazetaExpress.com”, autori duket se ka gabuar në një fjali duke e përfolur deklaratën e Jasharit, gjoja se ai thotë që është “haram” të shkohet në ahengje të tilla.
Bazuar në metodologjinë e punës referuar këtyre fakteve, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Gabim”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Gabim” e marrin raportet në media në të cilat redaksia e mediave bënë një gabim duke publikuar informacion të pasaktë ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara nga një burim tjetër, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.