Artikull nga twipemobile.com
Sipas Raportit të Lajmeve Dixhitale të Reuters 2024, përmbajtja interaktive, si kuizet e lajmeve, po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet. Rreth 25% e abonentëve të gazetave në SHBA i përmendin kuizet si një nga arsyet kryesore pse mbajnë abonimin aktiv. Kjo ka bërë që shumë redaksi të investojnë në zhvillimin e kuizeve të automatizuara, të cilat jo vetëm që rrisin angazhimin, por edhe ndihmojnë lexuesit të përvetësojnë më mirë informacionin.
Si po e përdorin mediat ndërkombëtare AI për kuize?
Një nga shembujt më të dalluar është revista TIME, e cila eksperimentoi me përdorimin e ChatGPT për të analizuar arkivin e saj prej mbi 200 milionë faqesh. Nga ky proces, u krijuan kuize të personalizuara që testojnë njohuritë e lexuesve mbi çështjet aktuale, duke i bërë ata më të vëmendshëm ndaj përmbajtjes informative dhe më të përfshirë në lexim.
Edhe kompania mediatike Ringier Axel Springer ka integruar një mjet të ngjashëm në sistemin e saj të menaxhimit të përmbajtjes. Gazetarët e kësaj medie mund të vendosin thjesht temën dhe numrin e pyetjeve që dëshirojnë për një kuiz, dhe AI gjeneron automatikisht përmbajtjen. Ky proces jo vetëm që kurseu kohën e gazetarëve, por u rrit ndjeshëm edhe ndërveprimi i lexuesve me përmbajtjen.
Edhe Twipe përfshihet në trendin e kuizeve interaktive
Në një linjë të ngjashme, platforma e inovacionit mediatik Twipe po zhvillon aktualisht kuize të gjeneruara automatikisht, të cilat kanë dhënë rezultate premtuese. Siç thekson kompania, qëllimi është të përputhen me tendencën globale të përdorimit të AI-së për krijimin e përmbajtjeve tërheqëse dhe edukative.
Sfida: Gabimet dhe nevoja për redaktim njerëzor
Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale për krijimin e kuizeve nuk është i lirë nga sfidat. Problemi më i zakonshëm është i ashtuquajturi fenomeni i halucinacioneve, ku AI mund të gjenerojë informacione të pasakta ose të pavërtetuara. Për këtë arsye, redaktimi dhe verifikimi njerëzor mbeten të domosdoshme për të garantuar cilësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes.
Nëse përdoret me kujdes dhe profesionalizëm, AI mund të shërbejë si një mjet i vlefshëm për krijimin e kuizeve, duke sjellë një përvojë më interaktive për lexuesit dhe duke nxitur një marrëdhënie më të fortë me audiencën.