Portali i dyshimtë më përmbajtje në gjuhën shqipe “news308media.com” ka publikuar të dielën (1 janar) një artikull me titull “E FUNDIT/ Kurti më në fund tregon për marrëveshjen e fshehtë me Serbinë ku tregoi se..”.
Pas verifikimi të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është i paqartë dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një pjesë nga intervista e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhënë më 30 dhjetor për agjencinë e lajmeve “Kosova Press”.
Në këtë intervistë, Kurti është shprehur se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave.
Ndërsa titulli i vënë nga portali i dyshimtë “news308media.com” lë të kuptohet se shefi i Qeverisë së Kosovës ka pranuar se ka pasur marrëveshje të fshehtë me Serbinë.
Pra, ky portal i dyshimtë ka ndryshuar titullin e artikullit autentik të publikuar nga “KosovaPress.com”.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “news308media.com”:
Artikulli i publikuar nga “news308media.com” është shpërndarë edhe në Facebook nga faqet “Lexo Sot” dhe “Gazeta Shqip”.
Duke u bazuar në komentet e lexuesve, titulli i vënë nga ky portal i dyshimtë ka bërë që ata të bien pre e tij, duke i bërë të besojnë se Kurti ka pranuar për një marrëveshje të fshehtë. (shih fotografinë më poshtë)
“Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje të fshehtë. Ka pasur takime me KFOR-in dhe ka pasur takime me EULEX dhe ka pasur takime me ambasadorët e QUINT-it, në veçanti me atë të SHBA-së. Meqë rast ne vazhdimisht kemi thënë se durimi i qytetarëve dhe qeverisë po shteron, andaj ne japim ca më shumë kohë dhe ca më shumë hapësirë KFOR-it, por kjo nuk mund të jetë e pafundme”, ishte shprehur ndër të tjerash Kurti për “KosovaPress.com”.
Intervistën e plotë të Kurtit dhënë për KosovaPress.com mund ta gjeni këtu.
Analiza:
Portali i dyshimtë “news308media.com” ka publikuar intervistën e Kurtit dhënë për “KosovaPress.com”, i cili tha se nuk ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave.
Mirëpo, ky portal i dyshimtë i ka ndryshuar titullin këtij artikulli, duke pretenduar rrejshëm se Kurti ka treguar për marrëveshjen e fshehtë, duke lënë të kuptohet se mes Kosovës dhe Serbisë ka pas një marrëveshje të tillë për largimin e barrikadave.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.