Portali i dyshimtë “Specialja.com” ka publikuar artikullin me titull “Izraeli ndalon rreptësisht këngët e Dua Lipas, pas këtij skandali do ta tërheq njohjen e Kosovës”.
Artikulli është i bazuar në një lajm të vjetër (4 qershor) që ka të bëjë me një peticion të nisur në Izrael për ndalimin e transmetimit të këngëve të këngëtares Dua Lipa, si reagim ndaj një postimi që këngëtarja ndau në llogarinë e saj në Instagram me përmbajtje, siç thuhet, anti-Izraelit, ku shkruante se si ushtarët qëllojnë fëmijë. Mirëpo, në artikullin e portalit të dyshimtë “Specialja.com”, vërehet se këtij lajmi të vjetër i kanë bashkangjitur edhe një artikulim të trilluar – tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Izraeli.
Teksti i publikuar në Specialja.com:
Izraeli ndalon rreptësisht këngët e Dua Lipas, pas këtij skandali do ta tërheq njohjen e Kosovës
Një peticion ka nisur në Izrael, ku po bën thirrje që këngët e Dua Lipaës të ndalohen në radio.
Kjo pasi këngëtarja ndau në llogarinë e saj në Instagram një postim anti-izraelit, ku pretendonte se ushtarët qëllojnë fëmijët, mes pretendimeve të tjera. Mbi 3,000 njerëz kanë nënshkruar deri më tani këtë peticion. / Hap marketingun 5 sekonda dhe shfaqen Pamjet Ekskluzive
Vegëza e artikullit të publikuar në Specialja.com:
Lajmi i cili është nxjerr si shkak për krijimin e këtij artikulli të sajuar, kishte të bënte me reagimin e këngëtares së famshme me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ndaj disa veprimeve të ushtrisë së Izraelit ndaj banorëve palestinezë.
“Ndërsa të gjithë janë në humor për të folur për të drejtat e njeriut, kjo është ajo që ndodh çdo ditë në Palestinë, e paguar nga dollarët e taksapaguesit tanë. ”Djemtë e mëdhenj të këqij të ushtrisë izraelite kënaqen plotësisht duke rrahur dhe qëlluar fëmijët,” vazhdoi postimi. “Ata madje kanë bluza që përshkruajnë një grua palestineze shtatzënë me një hapësirë snajperi në stomakun e saj që lexon “me 1 të shtënë dy vrasje”, shkroi ajo në profilin e saj në Instagram.
Vegëzat e artikullit të publikuar në kohë reale në disa media online në gjuhën shqipe:
Analiza:
Përmbajtja e artikullit të Specialja.com është e vjetër, jo e plotë dhe e devijuar përmes titullit të sajuar që nuk bazohet në asnjë të dhënë. Përmes këtij artikulli, ky portal synon të nxis reagime, marr parasysh rrethanat politike të krijuara së fundmi mes Kosovës dhe Izraelit, si dhe të stimulojë lexueshmëri, duke shpërndarë informata të rreme dhe kontradiktore. Ky shkrim kategorizohet si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Dezinformata – Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.
Clickbait – “Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.