Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar sot (21 nëntor) një artikull me titull “Kosoves I Vjen Mbeshtetje “Madheshtore” Nga Robert Bosch: QUIN-t Duhet Të Kuptojë Se Kosova Eshtë Shtet I Pavarur”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky lajm është i vjetër, i publikuar më 14 janar.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, atëkohë në llogarinë e tij në Facebook kishte shkruar se QUINT duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe më në fund do të veprojë si i tillë.
Pra, “Pamfleti.com” ka publikuar artikull të vjetër me pretendimin ta paraqesë atë si aktual.
Vegëza e artikullit të publikuar në Facebook nga faqja “Pamfleti.com”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur këtë artikull të publikuar në kohë reale (14 janar) në disa media online në Kosovë. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Hibrid.info ka gjetur edhe postimin e ish-ambasadorit Bosch të bërë përmes llogarisë së tij në Facebook me datë 14 janar. (shih këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook “Pamfleti.com” ka publikuar një artikull të vjetër të muajit janar, të cilin është munduar ta paraqesë si aktual.
Pas verifikimit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.