Mediumi serb “Alo.rs” sot (15 gusht) ka publikuar në artikull ku pretendon se Prishtina zyrtare ka shpenzuar milionat për të armatosur urgjentisht Policinë e Kosovës për t’i sulmuar serbët.
Artikulli i publikuar me titull “PRISHTINA NDAU MILIONA PËR TË ARMATOZUAR URGJENTISHT ANËTARËT E TË ASHTUQUJTURES POLICI: Kurti bleu autoblinda për të sulmuar serbët!” bënë interpretimin e raportit të thesarit të shtetit të Kosovës për rritjen e shpenzimeve për blerje të armatimit e pajisjeve tjera nga Ministria e Brendshme e Kosovës.
Hibrid.info në bazë të verifikimit të fakteve vlerëson se interpretimi i bërë për armatosjen e Policisë e Kosovës është tendencioz dhe vlerësohet si teori konspirative.
Vegëza e artikullit të publikuar në mediumin serb “Alo.rs”:
https://www.alo.rs/vesti/politika/661320/kurti-kupio-oklopna-vozila-da-napadne-srbe/vest
Pjesë nga artikulli i publikuar në “Alo.rs” i përkthyer në shqip:
Shteti i rrejshëm i Kosovës është pajisur urgjentisht autoblinda, topa uji, limuzina të blinduara dhe pushkë, të cilat janë të destinuara për policët që punojnë përgjatë vijës administrative. Një pjesë e armëve janë të destinuara për policët që janë të vendosur në postblloqe pranë vendkalimeve Jarinje dhe Bërnjak.
E gjithë kjo tregon qartë se Albin Kurti po përgatitet tërësisht për të shkaktuar konflikt në veri të krahinës. Dihet se qëllimi i tij është të likuidojë dhjetë persona të nacionalitetit serb, disa prej të cilëve përfaqësues politikë të serbëve, duke shkaktuar trazira dhe kaos në Kosovë. Qëllimi përfundimtar është në fakt eksodi i popullit serb nga krahina, të cilit do t’i pritej koka me likuidimin e udhëheqësve të tyre vendas.
Alo! mëson, i ashtuquajturi Ministër i Punëve të Brendshme i shtetit të rremë të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar komandantët e njësive në veri që të jenë sa më aktivë në patrulla dhe t’i tregojnë opinionit, e kjo ka të bëjë me qytetarët e nacionalitetit serb, armë të reja në çdo vend.
I gjithë pretendimi i mediumit serb niset nga deklarimi i thesarit të shtetit të Kosovës në lidhje me shpenzimet e Ministrisë së Brendshme ku thuhet se, në vlerë prej 1,300,000 euro, janë blerë armë të gjata për policinë kufitare (350, 000 euro), si dhe autoblinda, topa uji dhe limuzina të blinduara në vlerë 7.13 milionë euro.
Mediumi serb pretendon se janë blerë edhe bomba trullosëse, bomba me gaz lotsjellës me efekt të zgjatur, si dhe lloje të tjera të armëve të përdorura për të shpërndarë turmën e grumbulluar si dhe mikro kamera për të vëzhguar veriun e të cilat nuk theksohen në raportin e thesarit të shtetit. (shih këtu)
Po ashtu brenda artikullit pretendohet se Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka urdhëruar komandantët e njësive në veri që të patrullojnë dhe t’i reklamojnë armët e reja, një pretendim i pabazë bazuar. Në fakt, në postimin e ministrit Sveçla në llogarinë e tij në Facebook ku nuk ceket një gjë e tillë. (shih këtu)
Pretendim se armatimi i Policisë së Kosovës është për likuidimin e serbëve është një interpretim tendencioz dhe që nuk bazohet në fakte konkrete, përveç në interpretim.
Analiza:
Artikulli i publikuar në mediumin serb “Alo.rs”, bënë interpretim tendencioz të raportit të Thesarit të shtetit për armatosjen e Policisë së Kosovës duke e ndërlidh atë sulm ndaj serbëve.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson se pretendimi i mediumit serb se armatosja e policisë është bërë për t’i sulmuar serbët dhe se, ministri Sveçla i ka urdhëruar policinë që të patrullojnë me shpesh në veri për tua treguar armët reja serbëve atje, nuk është i bazuar në fakte, prandaj vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.