Shkroi: Fatbardh Dema
Ministria e Punëve të Jashtme ruse, në llogarinë zyrtare në X (ish-Twitter), ka bërë sot (24 mars) një postim lidhur me 26-vjetorin e fushatës ajrore të NATO-s.
Në këtë postim, fushata ajrore e vitit 1999 është përshkruar si një akt agresioni ndaj Jugosllavisë.
Çka nuk shkon me këtë postim?
Fotografia e përdorur në postim nuk ka lidhje me ndërhyrjen e NATO-s. Në fakt, ajo paraqet një imazh nga lufta në Irak, e cila ndodhi në vitin 2003.

Pas një hulumtimi përmes makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi paraqet shpërthime në Bagdad (Irak) gjatë vitit 2003. Imazhi është publikuar edhe nga media amerikane si “CNN” (fotografia numër 3) dhe “MSN.com” (fotografia numër 3).


Nuk është hera e parë që fotografia e njëjtë pretendohet të paraqitet si imazh i fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 nga kjo ministri.
Hibrid.info ka trajtuar edhe më parë përmbajtje të ngjashme të publikuara nga Ministria e Jashtme ruse në vitet 2022 dhe 2023, ku gjithashtu ishte përdorur i njëjti imazh. (shih këtu dhe këtu)
Fushata Ajrore e NATO-s (Mars-Qershor 1999)
NATO nisi një fushatë ajrore, Operacionin Forcat Aleate, në mars 1999 për të ndalur katastrofën humanitare që po ndodhte atëherë në Kosovë. Vendimi për të ndërhyrë pasoi më shumë se një vit luftimesh brenda krahinës dhe dështimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur konfliktin me mjete diplomatike.
Në fund të vitit 1998, më shumë se 300,000 kosovarë ishin larguar nga shtëpitë e tyre, marrëveshjet e ndryshme të armëpushimit po shkeleshin sistematikisht dhe negociatat kishin ngecur.
Dy raunde bisedimesh të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht në Rambuje, Francë, në shkurt dhe në Paris në mars 1999 nuk arritën të zgjidhin ngërçin dhe shteruan rrugët diplomatike. Në atë kohë, autonomia për Kosovën brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, e garantuar nga prania e një force të udhëhequr nga NATO, mund të ishte siguruar. I pranuar nga delegacioni shqiptar, propozimi u refuzua nga Beogradi.
NATO njoftoi pezullimin e fushatës ajrore më 10 qershor, pasi kishte përfunduar një Marrëveshje Teknike Ushtarake me Republikën Federale të Jugosllavisë. Në të njëjtën ditë, Rezoluta 1244 e KS të OKB-së mirëpriti pranimin që Republika Federale e Jugosllavisë ua bëri parimeve për një zgjidhje politike, duke përfshirë fundin e menjëhershëm të dhunës dhe tërheqjen e shpejtë të forcave të saj ushtarake, policore dhe paraushtarake dhe vendosjen e një pranie efektive ndërkombëtare civile dhe të sigurisë, me pjesëmarrje të konsiderueshme të NATO-s. (shih këtu)
Analiza:
Ministria e Jashtme e Rusisë ka publikuar një postim në X (ish-Twitter) për 26-vjetorin e fushatës ajrore të NATO-s, duke e cilësuar atë si agresion ndaj Jugosllavisë.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info u vërtetua se fotografia e përdorur në postim nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 1999, por paraqet shpërthime në Bagdad gjatë luftës në Irak në vitin 2003.
Kjo nuk është hera e parë që misioni rus e përdor këtë fotografi në kontekst të rremë, pasi raste të ngjashme janë identifikuar edhe në vitet 2022 dhe 2023.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.