Faqja në Facebook me emrin “Gazeta NewBorn” ka publikuar sot (7 tetor) një pretendim se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka dhënë dorëheqje.
Këtë pretendim kjo faqe e vetëquajtur “gazetë”, e mbështetë siç thotë nga burime të afërta, por të pakonfirmuara.
Megjithatë, këtë lajm të publikuar nga kjo faqe e ka demantuar për hibrid.info zyra për informim në Ministrinë e Ekonomisë duke e quajtur si të pavërtetë.
Teksi i publikuar nga faqja “Gazeta NewBorn” në Facebook:
Ekskluzive: Jep dorëheqje edhe ministrja Artane Rizvanolli?!
Ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrisë së ekonimisë dhe energjisë, Artane Rizvanolli.
Gazeta NeëBorn nga burime të afërta por të pa konfirmuara, mëson se dorëheqja e Rizvanollit nga pozita e saj si ministre iu është dorëzuar kryeministrit Albin Kurtit.
Kjo është dorëheqja tjetër, pas dorëheqjes së ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifit.
Vegëza e artikullit të publikuar në faqen “Gazeta NewBorn” në Facebook:
Këtë pretendim të kësaj faqe e kanë publikuar edhe disa të tjera në rrjetin social Facebook si “Suhareka LAJM” dhe “Istogu Channel”.
Të kontaktuar përmes email-it nga hibrid.info, zyra për informim nga kjo ministri e kanë përgënjeshtruar këtë pretendim, duke e quajtur si të pavërtetën.

Analiza:
Faqja në Facebook “Gazeta NewBorn” ka pretenduar se Artane Rizvanolli ka dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Ekonomisë.
Mirëpo, këtë pretendim të kësaj faqe të vetëquajtur “gazetë”, e ka demantuar zyra për informim në Ministrinë e Ekonomisë, duke e quajtur si të pavërtetë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.