info@hibrid.info
Moska pretendon pa fakte se mercenarë nga Ballkani po i bashkohen ushtrisë ukrainase
shape
shape
shape

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pretenduar se mercenarë nga rajoni i Ballkanit, saktësisht nga Kroacia, Shqipëria e Kosova, po marrin pjesë në luftën në Ukrainë, në krahun e këtyre të fundit.

Kjo është bërë e ditur nga agjencia ruse e lajmeve “TASS”, që i janë referuar një komunikate të Kremlinit. Në këtë njoftim thuhet se i pari i Rusisë, e ka ngritur këtë shqetësim gjatë një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Mirëpo, ky pretendim politik nuk është i bazuar në asnjë fakt dhe, i njëjti, është demantuar nga zyrtarë politik nga Kosova, Kroacia dhe Shqipëria.


Pjesë nga deklarata zyrtare e Kremlinit e publikuar nga agjencia ruse e lajmeve “TASS”, e përkthyer në gjuhën shqipe:

“Po regjistrojmë gjithnjë e më shpesh ardhjen e mercenarëve nga vendet e treta, në veçanti nga Shqipëria dhe Kroacia, militantë të Kosovës dhe madje edhe xhihadistë me përvojë luftarake siriane”, thuhet në deklaratë.


Vegëza e artikullit të publikuar nga agjencia ruse e lajmeve TASS:

https://tass.com/politics/1416985?fbclid=IwAR0BtlcbzPMbJ69vLo9VC7cNW7xWXnhnf8qk9B_DA3hBt_CSEtsy8XJKx0Y


Lidhur me këtë pretendim të Kremlinit zyrtarë kanë reaguar zyrtarë të lartë nga shtetet e apostrofuara në pretendimin e Putinit (Kosova, Shqipëria e Kroacia). Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, e ka quajtur këtë pretendim të Moskës zyrtare si përpjekje për t’u larguar nga përgjegjësia e krimeve në Ukrainë.  (shih këtu)

Postimi i Donika Gërvalla-Schwarz:

Nuk ka mercenarë nga Kosova. Krimineli i luftës Putin po përpiqet të shpërqendrojë nga lufta dhe gjenocidi i tij kundër Ukrainës, duke bërë luftë propagandistike. Ai po gënjen, përsëri. Ne e dimë atë lojë, nga Millosheviqi te Vuçiq. Kosova qëndron me krenari me ??????, kundër kriminelëve të luftës.


Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka, përmes rrjetit social Twitter ka deklaruar se në Ukrainë nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë. (shih këtu)

“Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Thënë kështu, Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”, shkroi Xhaçka në Twitter.


Edhe Zagrebi zyrtar e ka mohuar pretendimin se, shtetas kroatë u janë bashkuar si mercenarë, radhëve të ushtrisë ukrainase, në luftën kundër pushtimit rus.

Atasheu ushtarak i Kroacisë në Moskë, gjatë një takimi me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, ku refuzoi notën e protestës, ka thënë se institucionet kroate nuk kanë informacione që ndërlidhen me pretendimet e bëra. (shih këtu)

Pjesë e reagimit të atasheut ushtarak të Kroacisë në Moskë, i përkthyer në gjuhën shqipe:

Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë dhe asnjë institucion tjetër shtetëror kroat nuk ka lidhje me individë që mund të jenë në Ukrainë, apo informacione për ata individë.


Disa media online në Kosovë dhe Shqipëri kanë shpërndarë lajmin e agjencisë ruse TASS me pretendimin e Kremlinit. (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Agjencia ruse e lajmeve TASS ka publikuar deklaratën e Kremlinit lidhur me pretendimin se se mercenarë nga vendet e treta, në veçanti nga Shqipëria dhe Kroacia, e militantë të Kosovës dhe madje edhe xhihadistë me përvojë luftarake siriane i janë bashkuar ushtrisë ukrainase.

Kjo deklaratë u lëshua pas bisedës telefonike të presidentit rus Vladimit Putin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Ky pretendim politik nuk bazohet në asnjë fakt, ndërsa i njëjti është mohuar nga zyrtarë politik në Shqipëri dhe Kroaci.

Nga analiza e kontrollit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »