info@hibrid.info
Muaji nëntor: Raste tragjike dhe konflikti Izrael-Hamas temat mbi të cilat u keqinformua më së shumti, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) institucioni, e Biden, Erdogan dhe Hashim Thaçi figurat më të përfolura
shape
shape
shape

Temat kryesore që kanë mbizotëruar këtë muaj janë rastet e ndryshme tragjike (vdekje, vrasje) dhe konflikti Izrael-Hamas. Arsyeja kryesore ishte se publikues të ndryshëm përdorën ngjarje të këtij lloji nga vende të ndryshme, duke synuar që, duke mos e përcaktua vend-ngjarjen përmes titullit, t’i paraqesin ato si ngjarje që kanë të bëjnë me Kosovën apo rajonet shqipfolëse.  Ndërsa, përkundër faktit se konflikti Izrael-Hamas po vazhdon, përmbajtjet keqinformuese lidhur me ngjarjen kanë pësuar në përmbajtjet në gjuhën shqipe, duke bërë që kjo temë të reduktohet në ekosistemin keqinformues.

Vazhdimi i konfliktit Izrael-Hamas i nisur me 7 tetor si dhe keqinformatat lidhur me armatosjen e FSK-së ka ndikuar që keqinformimet në fushën e sigurisë të mbizotërojnë gjatë këtij muaji, pasuar nga kronika e zezë me artikuj për rast tragjike e që nuk bëhej e ditur në titull se nuk kishin të bënin me Kosovë.

Artikujt “clickbait” kanë mbizotëruar gjatë muajit tetor në kategoritë vlerësuese të keqinformimit, pasuar nga dezinformata dhe lajmi i rremë.

Në muajin nëntor, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është institucioni që më së shumti u  përfol dhe përfshi në keqinformatat duke u ndërlidh me e armatosjen me helikopterë, aeroplanë dhe tanke.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi janë figurat më të përfolura në keqinformimet e publikuara në muajin nëntor. 

Këto të dhëna, dolën nga raporti monitorues që paraqet gjendjen e keqinformimit për muajin nëntor të vitit 2023 tek përmbajtjet që ndërlidhen me Kosovën, bazuar në të dhënat e siguruara nga platforma për kontroll të fakteve – hibrid.info. Raporti është i ideuar nga platforma për kontroll të fakteve hibrid.info, pjesë e OJQ-së kosovare “Action for Democratic Society” (ADS) dhe mbështetët nga fondacioni amerikan “National Endowment for Democarcy” (NED) në kuadër të projektit “Promovimi i Gazetarisë Objektive dhe Luftimit të Dezinformatës”.

Gjatë muajit nëntor 2023, mediat dhe publikuesit e ndryshëm kanë publikuar më së shumti artikuj “clickbait” me 32%, pasuar nga dezinformata me 26% dhe lajmi i rremë me 17%, ndërsa përmbajtjet mashtruese zënë vendin e katërt me 11%. Pjesa më e madhe e përmbajtjeve “clickbait” janë krijuar e publikuar në fushën e kronikës së zezë me 23% dhe sociale me 3%, dhe të gjitha janë publikuar në media reale. Ndërsa, dezinformatat janë publikuar nga publikues në media sociale, portale të dyshimta dhe media reale në gjuhën shqipe, ku pjesa dërrmuese e tyre janë nga fusha e sigurisë, politikës dhe sociales. Pothuajse të gjitha lajmet e rreme janë publikuar në mediat sociale, shumica prej tyre në fushën e sigurisë dhe kronikës së zezë. Të gjitha përmbajtjet mashtruese janë publikuar nga faqe dhe llogari në mediat sociale lidhur me temat sociale dhe politike. Pra, në momentin kur nuk ka ndonjë zhvillim të madh në Kosovë, atëherë artikujt “clickbait” rikthehen si formë e çrregullimit informativ më idenë e nxitjes së klikimeve, e që praktikohet nga portale informative. Ndërsa, dezinformatat vazhdojnë të publikohen në mediat sociale përfshirë tema dhe diskutime të vjetra duke intervenuar në to (ndryshime në tituj dhe përmbajtje.

Rastet e ndryshme tragjike duke përfshirë vdekje, vrasje, aksidente, si dhe konflikti Izrael-Hamas ishin dy temat kryesore të keqinformimit gjatë këtij muaji. Artikujt në kuadër të rasteve tragjike të keqinformimit kanë trajtuar vdekje, vrasje, aksidente dhe fatkeqësi në rrethana të ndryshme dhe për të cilat nuk bëhet e ditur në titujt e tyre vendi i ngjarjes me synim për të nxitur klikime nga lexuesit, e të cilat kryesisht janë vlerësuar si “clickbait” dhe janë publikuar në portale informative. Ndërsa, sa i përket konfliktit Izrael-Hamas, në mediat sociale janë publikuar kryesisht dezinformata dhe lajme të rreme nga fusha e sigurisë dhe sociale, ku në shumicë të madhe përfshiheshin imazhe dhe fotografi me pretendimin se paraqesin gjendjen nga ky konflikt. Përkundër faktit që konflikti Izrael-Hamas po vazhdon, përmbajtjet keqinformuese të publikuara nga faqe dhe llogari në mediat sociale lidhur me të janë reduktuar. Kjo hap rrugë që tematikat tragjike të e dominojnë ekosistemin keqinformues në Kosovë.

Përkundër faktit që nuk ndërlidhen njëra me tjetrën siguria, kronika e zezë dhe fusha sociale, këto tri fusha përbëjnë pjesën dërrmuese (80%) të përmbajtjeve keqinformuese të publikuar për muajin nëntor 2023. Shumica e përmbajtjeve keqinformuese nga fusha e sigurisë u vlerësuan si dezinformatë (14%) dhe lajm i rremë (9%) dhe u publikua në mediat sociale. Ndërsa, përmbajtjet keqinformuese nga kronika e zezë kryesisht janë publikuar në media reale, e që shumica prej tyre u vlerësuan “clickbait”. Përmbajtjet lidhur me armatosjen e FSK-së dhe rreth konfliktit Izrael-Hamas kanë bërë që siguria të mbizotërojë gjatë këtij muaji, ndërsa artikujt “clickbait” janë publikuar nga fusha e kronikës së zezë, pra për raste të ndryshme tragjike.Edhe pjesa dërrmese keqinformatave nga fusha sociale u publikuan në mediat sociale ku mbizotëruan mashtrimet, përmbajtjet e paverifikuara dhe dezinformatat sa i përket kategorive. Fushat tjera të keqinformimit përfshijnë politikën (12%), sportin (5%), kulturën (2%) dhe shëndetësinë (1%).

Edhe gjatë muajit nëntor 2023, keqinformatat e publikuara në mediat sociale kanë mbizotëruar me 52%, duke u pasuar nga mediat reale (38%) dhe portalet e dyshimta me 10%. Në muajin nëntor, në bazë të mostrës monitoruese, 97% e përmbajtjeve keqinformuese janë publikuar nga media dhe faqe në mediat sociale në gjuhën shqipe, ndërsa 3% në mediat në gjuhën serbe. Pjesë dërrmuese e përmbajtjeve keqinformuese në gjuhën shqipe janë nga fusha e sigurisë, kronikës së zezë dhe sociale, ndërsa ato në gjuhën ishin nga fusha sociale dhe e sportit. Përderisa pjesa më e madhe e përmbajtjeve keqinformuese në gjuhën shqipe janë vlerësuar si “clickbait”, dezinformatë dhe lajm i rremë, ato në gjuhën serbe u kategorizuan si dezinformatë dhe përmbajtje e paverifikuar. Sa i përket publikimeve nga publikuesit në media sociale, 54% janë publikuar në Facebook, duke u pasuar nga TikTok me 46%.

Joe Biden, Recep Tayyip Erdogan dhe Hashim Thaçi janë tre figurat më të përfolura në keqinformatat e publikuara nga publikuesit në gjuhën shqipe. Si institucion, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u përfshinë në keqinformatat e publikuara gjatë nëntorit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e mbajti premtimin e deklaruar më 27 tetor, se procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me datën e paraparë (1 nëntor) në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim ky i pa zbatuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë deklaratë gjysmë të vërtetë duke shkruar se të ardhurat mesatarë për këta zyrtarë gjatë këtij viti kalojnë shumën e 2200 eurove, edhe pse në bazë të Ligjit të Pagave për zyrtarët publikë, asnjë nga pozitat brenda Policisë së Kosovës nuk paguhet në shumën e pretenduar nga ministri Sveçla si dhe po ashtu është gjetur se pagesa e pretenduar ka përfshirë policët e angazhuar në veri të vendit, për shkak të orarit të zgjatur të punës.


Share With Others

Translate »