[email protected]
Narrativ dezinformues nga Vuçiqi për numrin e shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, të premten iu drejtua publikut lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë një konference për gazetarë, Vuçiqi ka prezantuar masat dhe ka paraqitur shtatë kërkesa lidhur me “çështjen e serbëve të Kosovës”, të cilat i ka përshkruar si parakushte të domosdoshme për përparim të rëndësishëm në dialog.

Gjatë fjalimit të tij, ai u fokusua edhe te çështja e njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ku ndër tjera, deklaroi se deri tani 112 shtete e njohin pavarësinë e Kosovës.

“85 shtete e njohën pavarësinë e Kosovës dhe kjo histori për ta ka përfunduar. Në vitin 2013, ne patëm një kolaps të plotë ekonomik, rënien e disa shteteve ku ndodheshim. Ajo u ndoq me indiferencë të përgjithshme. Kemi 112 vende që e njohin pavarësinë. Në anën tonë mbeten vetëm më të fortët dhe ata që kanë një situatë të ngjashme si ne. Më pas vijnë bisedimet dhe negociatat për Marrëveshjen e Brukselit. Nënshkrimet në marrëveshjen e Brukselit nuk vlejnë asgjë. Në periudhën e ardhshme mund të presim lajme më të këqija, sepse kanë zgjedhje.” (këtu)

Kjo deklaratë e Vuçiqit lidhur me njohjet zuri vend në mediat në gjuhën serbe, duke dezinformuar se vetëm 85 shtete e njohin Kosovën, edhe pse Vuçiq e thotë se deri më tani, bëhet fjalë për 112 shtete. (këtu)

Pas verifikimeve të bëra është vërtetuar se numri i njohjeve nuk është ashtu siç pretendon Vuçiq dhe mediat në gjuhën serbe. Sipas listës zyrtare në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Kosova njihet nga 117 shtete.

Pretendime për çnjohje nga zyrtarët serbë

Serbia në disa raste ka pretenduar për tërheqje të njohjeve, kryesisht nga vendet afrikane, por kjo është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në mbrëmjen e 4 janarit (2023), në paraqitjen vjetore për të prezantuar të arriturat e Serbisë, ndër të tjera pati folur edhe për njohjet e Kosovës. Ai pati pretenduar se nëntë vende që tashmë e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, në mesin e të cilave janë Somalia, Burkina Faso, Gabon, Estwatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet. (këtu)Hibrid.info, ka hulumtuar në ueb-faqet zyrtare të ministrive të punëve të jashtme të shteteve të cekura si tërheqëse të njohjes së Kosovës dhe nuk ka gjetur ndonjë informacion apo deklaratë publike rreth tërheqjes së njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. (ueb-faqet e ministrive të jashtme të SomalisëBurkina FasosGabonitEswatini apo SuazilanditLibisëGuinesëAntiguas dhe BarbudasShën Lucias dhe Maldiveve).

Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë njoftim në institucionet zyrtare diplomatike të Kosovës për tërheqjen e njohjeve.  

Përfaqësuesit diplomatikë të disa prej shteteve që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, janë zotuar për thellim të raporteve. Këto zotime janë bërë nga diplomatët e 6 prej 9 shteteve (Somalia, Burkina Faso, Gabon, Estwatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet), për të cilat Vuçiq, në mbrëmjen e 4 janarit 2023, në paraqitjen vjetore për të prezantuar të arriturat e Serbisë, tha se e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. (këtu)

Të dhënat zyrtare për njohje të shtetit të Kosovës

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Njohja e parë erdhi qysh atë ditë. Sipas listës zyrtare në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Kosova njihet nga 117 shtete. (këtu)

Në këtë listë të MPJD-së, e para njohje paraqitet ajo e Republikës së Kosta-Rikës, që është regjistruar në ditën e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Data 18 shkurt 2008 del të jetë më e suksesshmja sa i përket njohjeve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Afganistani e njohën atë ditë. Viti 2008 për Kosovën solli 53 njohje.

Një vit më pas, Kosova mori 11 njohje e më 2010 erdhën tetë njohje. Në dy vitet pasuese (2011 dhe 2012) Kosova mori nga 12 njohje. Më 2013 erdhën tetë njohje. Pas kësaj, nisi rënia e numrit të njohjeve. Nga viti 2014 e deri më sot, (9 shtator 2024), Kosova mori 13 njohje.

Më 4 shtator janë bërë katër vjet qëkur Kosova, në kuadër të asaj që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, u pajtua për njohje të ndërsjellë me shtetin e Izraelit. Njohja u zyrtarizua më 1 shkurt 2021. E kjo ngelet njohja e fundit për shtetin e Kosovës deri tash.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »