info@hibrid.info
Narrativat e pabaza serbe mbi marrëveshjen trepalëshe për bashkëpunim ushtarak
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 18 mars, në Tiranë, ministrat e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan një Deklaratë trepalëshe për aleancë ushtarake, e cila synon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, zhvillimin e industrisë ushtarake dhe rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Marrëveshja përfshin masa për të kundërshtuar kërcënimet hibride dhe për të rritur qëndrueshmërinë strategjike, duke ofruar një mbështetje të qartë për integrimin euro-atlantik dhe sigurinë rajonale.

Kjo marrëveshje u portretizua nga mediat serbe dhe ruse si një aleancë kundër Serbisë dhe Republikës Srpska, duke u cilësuar si një kërcënim për serbët dhe një zhvillim që kërkon reagim urgjent.

Marrëveshja

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan më 18 mars, në Tiranë një deklaratë për të thelluar bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, firmosi këtë marrëveshje së bashku me homologët e tij, Pirro Vengu nga Shqipëria dhe Ivan Anushiq nga Kroacia.

Pas nënshkrimit të deklaratës, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, theksoi se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia angazhohen për forcimin e mbrojtjes, rritjen e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e industrisë ushtarake, duke kontribuar në paqen ndërkombëtare. Ai sqaroi se shtetet do të bashkëpunojnë për rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake, luftimin e kërcënimeve hibride dhe integrimin euroatlantik.

Ministri shqiptar, Pirro Vengu, e cilësoi këtë hap si një zhvillim kyç për mbrojtjen dhe teknologjinë ushtarake, ndërsa homologu kroat, Ivan Anushiq, tha se Kroacia është e gatshme të ndajë përvojën e saj si anëtare e NATO-s dhe BE-së, duke forcuar bashkëpunimin për një rajon më të sigurt.

Reagimet e zyrtarëve serbe dhe narrativat në media

Presidenti Vuçiq reagoi ndaj marrëveshjes duke theksuar se Serbia e ka kuptuar qartë mesazhin dhe do të mbrojë vendin nga çdo kërcënim, përfshirë edhe ata më të fuqishmit, duke theksuar vendosmërinë për tu mbrojtur. (këtu)

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Serbisë ka njoftuar se do t’u dërgojë një kërkesë urgjente homologëve në Kroaci dhe Shqipëri, duke kërkuar shpjegime për memorandumit trilateral mbi mbrojtjen, të cilin Beogradi e konsideron si një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe një veprim të ndërmarrë me përfaqësuesin, sipas tyre, jolegjitim të autoriteteve në Prishtinë. (këtu)

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi memorandumin e bashkëpunimit mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës si një veprim provokues, i cili, sipas tij, bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale. (këtu)

Këto reagime janë pasqyruar gjerësisht në mediat serbe dhe ruse, kryesisht në gjuhën serbe, duke ndikuar në formësimin e perceptimit publik mbi marrëveshjen. Përveç raportimit të deklaratave zyrtare, janë krijuar edhe tituj dhe narrativa specifike, të cilat e interpretojnë këtë marrëveshje si një kërcënim për Serbinë dhe stabilitetin rajonal.

Mediat serbe, siç është Kurir.rs, kanë publikuar artikuj të zgjeruar për marrëveshjen trilaterale, duke ngritur narrativen se ky është një “modus i ri për dëbimin e serbëve nga Kosova dhe kërkon që Serbia të ofrojë një përgjigje të përshtatshme ndaj këtyre zhvillimeve.

Edhe përditshmja serbe “Novosti” e trajtoi marrëveshjen në numrin e saj të datës 20 mars, duke i kushtuar ballinës artikullin dhe duke ngritur narrativen se “Marrëveshja e Kroacisë, Shqipërisë dhe ‘Kosovës’ është një pakt ushtarak që paraqet një kërcënim për të gjithë serbët”. (këtu)

Edhe gazetat “Republika” dhe “Politika” i kushtuan rëndësi marrëveshjes, duke e vendosur atë si kryeartikull në ballinën e tyre. Të dyja gazetat ngritën narrativa të ngjashme, duke e portretizuar marrëveshjen si një “Patkonj ushtarak rreth Serbisë“, respektivisht se ajo është një “Pakt trilateral kundër Serbisë“.

Mediumi rus në gjuhën serbe, Sputnik, nëpërmjet një artikulli të publikuar, krijoi narrativen se “Nuk ka asnjë dyshim se aleanca ushtarake e sapo nënshkruar mes Kroacisë, Shqipërisë dhe ‘Kosovës’ është e orientuar jo vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër popullit serb në tërësi, dhe për pasojë kundër Republikës Srpska.” Artikulli pretendon se ky është një vazhdim i planit të vjetër të destabilizimit dhe përpjekjeve të NATO-s për të pushtuar këtë hapësirë, duke e konsideruar atë si një zhvillim të parashikueshëm.

Pse këto narrativa janë të pabaza?

Argumentet kundër narrativave të krijuara nga mediat serbe dhe ruse, që interpretojnë marrëveshjen si një kërcënim për Serbinë dhe popullin serb, mund të bazohen në disa pika kyçe, duke u mbështetur në deklaratat e nënshkruesve të marrëveshjes dhe rolit të NATO-s në rajon.

Deklaratat e nënshkruesve të marrëveshjes: Ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë theksuar qartë se marrëveshja nuk është një akt agresioni, por një hap për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri rajonale. Sipas ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, marrëveshja ka për qëllim të kontribuoni në paqen dhe stabilitetin e rajonit, duke rritur ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit dhe trajnimeve të përbashkëta. Ai e theksoi se ky bashkëpunim “nuk është kërcënim për askënd”, por një angazhim për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Përpjekjet për integrim euroatlantik: Marrëveshja është një reflektim i angazhimeve të përbashkëta për integrimin në strukturat euroatlantike, duke përfshirë NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Ky bashkëpunim është pjesë e një strategjie për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, dhe jo një akt i drejtuar kundër ndonjë shteti të veçantë. Shqipëria dhe Kroacia, si anëtare të NATO-s, po mbështesin Kosovën në aspiratat e saj për t’u integruar në këto struktura, për të kontribuar në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.

Roli i NATO-s në sigurinë e Ballkanit: NATO ka pasur një rol kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan që nga periudha e pasluftës. Operacionet e NATO-s, si KFOR-i në Kosovë, kanë qenë të rëndësishme për garantimin e paqes dhe mbrojtjen e të drejtat e të gjitha grupeve etnike, përfshirë serbët. Angazhimi i NATO-s në rajon është një faktor stabilizues që kontribuon në parandalimin e konflikteve të mundshme dhe ruajtjen e paqes. Marrëveshja midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është në përputhje me këto përpjekje, duke synuar të forcojë bashkëpunimin ushtarak dhe të kontribuoni në përpjekjet për të stabilizuar rajonin.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptohet se marrëveshja nuk është një akt i drejtuar kundër Serbisë, por një mundësi për të rritur bashkëpunimin dhe sigurinë në një rajon ku ka pasur tensione dhe konflikte historike.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »