Portali informativ “Gazeta-shqip.com” ka publikuar dje (29 gusht) një artikull me titull “TMERR/ Babai rrihte nënën, 15-vjeçarja e djeg të gjallë duke i vënë flakën shtëpisë”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Egjipt, ku një 15-vjeçare ka vrarë babain e saj, duke e djegur të gjallë”.
Duke parë që portali “gazeta-shqip.com” është i regjistruar në Shqipëri (këtu), dhe përmbajtja e ofruar nga ky portal është në gjuhën shqipe, bën që lexuesi shumë lehtë të mendojë se ngjarja ka ndodhur në Shqipëri.
Vegëzat e artikullit të publikuar në portalin “gazeta-shqip.com”:
Hibrid.info për të dëshmuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në Egjipt, ka gjetur artikullin e publikuar në disa media të huaja. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali “gazeta-shqip.com” ka publikuar artikull në lidhje me një ngjarje të ndodhur në shtetin e Egjiptit, por që në titullin e artikullit nuk saktësohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja.
Bazuar në të dhënat e gjetura mbi mediumin në fjalë, tregohet se fakti që ky portal vepron në Shqipëri, mund t’i dezinformojë lexuesit se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Shqipëri.
Andaj edhe bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto artikuj si “Clickbait”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.