Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Kosova do të pajiset me dhjetë helikopterë “Black Hawk” këtë vit, ashtu si dhe me një pjesë të anti-tankeve “Javelin”.
Ky postim me këtë pretendim është publikuar më 13 mars në Facebook nga një faqe me emrin “Kosova Report”.
Çka gjeti hibrid.info?
Hibrid.info gjeti se lajmi për blerjen e helikopterëve është i vërtetë, por nuk dihet numri i tyre.

Hibrid.info, nëpërmjet kërkimit manual, ka gjetur një video kronikë të publikuar në kanalin e “RTV Dukagjinit” në Youtube, të titulluar: “Maqedonci: Javelinët vijnë këtë vit, helikopterët Black Hawk do t’i blejmë”.
Në video paraqiten deklaratat e Ejup Maqedoncit, ministrit të Mbrojtjes, i cili në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë së 12 marsit këtë vit, ka treguar se kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së) për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”, ndërsa tregoi se një pjesë e anti-tankeve “Javelin” do vijnë këtë vit (video e plotë e konferencës).
Ministri Maqedonci nuk ka përmendur sasi të helikopterëve që pritet të blihen.
Gjithashtu, hibrid.info ka gjetur se furnizimin me këtë lloj të helikopterëve (pa përmendur numrin e tyre) për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK-në), Maqedonci e kishte paralajmëruar me anë të një postimi (15 janar) në llogarinë e tij në Facebook, pas qëndrimit në ShBA (shih këtu).
Analiza:
Pretendimi se Kosova do të pajiset me helikopterë “Black Hawk”, si dhe me një pjesë të anti-tankeve “Javelin” këtë vit, është i bazuar.
Mirëpo, pretendimi se do të blihen 10 helikopterë të tillë, është i pabazuar.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin për blerjen e dhjetë helikopterëve “Black Hawk”, e vlerëson si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.