Shkroi: Endrit Berisha
Llogaria “albinkurti_kryeminister” ka publikuar një imazh të dielën (7 korrik) nëpërmjet të cilës ka pretenduar se faqja “Secure America Now”, në Facebook, ka nxjerrë rezultatet e një sondazhi për zgjedhjet në Kosovë.
Çka nuk shkon me publikimin e llogarisë “albinkurti_kryeminister”?
Pas verifikimit nga hibrid.info, del që përmbajtja është tërësisht e rreme. Faqja e apostrofuar nga llogaria në TikTok, nuk ka bërë publikime të tilla që lidhen me sondazhe për Kosovën.
Vegëza e publikimit të llogarisë “albinkurti_kryeminister” në TikTok:
“Sondazhi i fundit nga një portal Amerikan” shkruhet mbi fotografinë e katër liderëve politikë që pritet të jenë kandidatë për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Sipas rezultateve të pretenduara, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në këtë sondazh është pretenduar se ka marrë 59 për qind, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) 18 për qind, Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) 17 për qind dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6 për qind.
Përmbajtja ka marrë mbi 1700 klikime deri tash. Ajo i ka marrë edhe mbi 180 pëlqime, ndërsa komentet i ka pamundësuar.
Hibrid.info ka hulumtuar në faqen e verifikuar në Facebook, “Secure America Now” (shih këtu) dhe nuk ka gjetur asnjë përmbajtje të tillë për sondazhe që lidhen me Kosovën. Kjo faqe numëron 3 milionë ndjekës. Te përshkrimi i faqes “Secure America Now” në Facebook ceket se është “platforma digjitale më e madhe kombëtare e sigurisë në komb”. Në Wikipedia thuhet se “Secure America Now (SAN) është organizatë jofitimprurëse me qasje konservatore (shih këtu).
Hibrid.info po ashtu ka përdorur fjalët “sondazhi i fundit nga një portal amerikan” në një kërkim në makinat online të kërkimit dhe nuk ka gjetur asnjë lajm që lidhet me pretendimin (shih këtu).
Po ashtu nuk ka pasur rezultate që lidhin me këtë pretendim, as nëse kërkohet në makinat online të kërkimit me përqindjen e pretenduar në sondazh (shih këtu).
Analiza:
Llogaria me emrin “albinkurti_kryeminister” në TikTok ka publikuar një imazh nëpërmjet të cilit ka pretenduar se një “portal amerikan” në Facebook ka nxjerrë rezultate nga një sondazh për kryeministrin e ardhshëm në Kosovë.
Pas verifikimit, Hibrid.info nuk ka gjetur publikimin në faqen e organizatës në Facebook. Po ashtu nuk janë gjetur lajme që ndërlidhin ndonjë portal amerikan me ndonjë sondazh për kryeministër të Kosovës e as ndonjë lajm me përqindjet e pretenduara për kandidatët.
Bazuar në metodologjinë e punës, hybrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.