Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar sot (4 mars) një artikull me titull “NË VRASJEN E LIRIDONA ADEMAJT ËSHTË I PËRFSHIRË EDHE NJË DREJTUES AKTUAL POLITIK, I INSTANCAVE TË LARTA POLITIKE !?”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është nxjerrë nga një opinion, por pa e bërë të qartë këtë fakt.
Titulli çorienton audiencën se në rastin e Liridona Ademaj Murseli (këtu), është i përfshirë një person me pozitë të lartë në organet e vendit. Mirëpo, në përmbajtje bëhet e ditur se artikulli është i bazuar në një opinion të analistit Reshat Badallaj.
“Kosova-sot.info” nuk ka qartësuar në titull e as në fotografi se ky është një opinion, duke u munduar ta paraqesë atë si lajm, ndërsa opinioni është mendim individual dhe jo gjithmonë është një fakt i kryer.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portal “Kosova-sot.info”:
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info:
Shkruan: ANALISTI-Reshat Badallaj-Zhuriani- gazetar hulumtues shumëvjeçar
Popull shqiptar,mbajeni mend këtë shkrim!Duke hulumtuar thellë e më thellë se kush ja morri shpirtin Liridonës, gruas shqiptare,nënës së dy fëmijëve (shpirti i bëftë dritë dhe qoftë pranë Zotit) dhe kush ja “futi” Naim zezës, do të del një gjak zi, një babëzi,shpirtzi,kriminel për interesa personale dhe edhe më keq. Largqoftë se ne mundohemi të përzihemi në punët e Prokurorisë, ajo ta kryej punën e saj në qetësi,po edhe po deshëm nuk mundemi dhe nuk kemi forcë, por edhe ata deshën ta fshehin këtë krim nuk munden se nuk futet dot minarja në thes, sepse do ngrihen familja e Liridonës, gazetarët dhe populli.
Se vërtetë është kjo që e thash që janë të pandryshuar deri në vdekje kjo bandë kriminelësh, banditësh gjak zinj për interesa personale dhe serbiane po del edhe në vrasjen e Liridones shpirti i bëftë dritë, krim me sfond politik,në instanca shumë të larta, drejtues aktual politik, figura të larta politike, ka lidhje me familje, është shumë i afërt me familjen, një figurë të tillë, priten përgjimet, një person i tillë nuk akuzohet kollaj… burimi (E.D.!!!?).
Deri tani, janë të arrestuar tre persona si të përfshirë në këtë rast, e që asnjëri nga ta nuk mban ndonjë post politik. (shih këtu)
Analiza:
Duke publikuar një opinion të një analisti të quajtur Reshat Badallaj, portali “Kosova-sot.info” në titull këtë opinion e paraqet si lajm, duke pretenduar se në vrasjen e 29 nëntorit të Liridona Ademaj Murseli është i përfshirë një person me pozitë të lartë në institucionet e vendit.
Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.