[email protected]
Pa asnjë fakt, ushtrimi fushor “Valor Shield 2024” ndërlidhet me sulm ndaj serbëve në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumi në gjuhën serbe “Informer.rs” ka publikuar një artikull dje (12 gusht) me titull “E konfirmuar! Përgatitet e keqja! Kurti me amerikanët dhe shqiptarët po ushtrohet për sulm me dron para synimit për të hapur urën në Ibër me dhunë!”.

Ky medium pretendon se kryeministri Albin Kurti, “mesa duket po përgatit një sulm të ri ndaj serbëve në Kosovë”.

Artikulli i referohet ushtrimit fushor “Valor Shield 2024” të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Trupave Specialë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën.

Mediumi në fjalë nuk ofron ndonjë fakt se ky ushtrim ka të bëjë me ndonjë sulm ndaj serbëve të Kosovës.


Vegëza e artikullit të publikuar në “Informer.rs”:

https://informer.rs/vesti/politika/933928/potvrdeno-sprema-zlo-kurti-s-amerima-i-albancima-vezba-udar-dronovima-uoci-namere-da-silom-otvori-most-na-ibru

Pjesë të artikullit të publikuar në “Informer.rs” të përkthyer në shqip:

I ashtuquajturi “kryeministër” i shtetit të rremë, Albin Kurti, mesa duket po përgatit një sulm të ri ndaj serbëve në Kosovë e Metohi.

Vetëm një ditë pasi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, paralajmëroi se ekstremistët e Prishtinës po përgatisin kaos në veri të Republikës së Kosovës, sepse më 14 apo 15 gusht synojnë të hapin me forcë urën mbi Ibër, e ashtuquajtura, “Njësia Speciale intervenuese e Policisë së Kosovës” dhe “Forcat e Sigurisë së Kosovës” mbajtën një stërvitje nën mbikëqyrjen e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropë dhe Forcave Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ky artikull ka zënë vend edhe në ballinën e gazetës së 13 gushtit me titull, “Kurti po përgatitet për luftë”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

FSK dhe partnerët e saj realizuan ushtrimin “Valor Shield 2024”, që përfshiu Operacionet Speciale të FSK-së, Njësinë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës, Regjimentin e Operacioneve Speciale të Shqipërisë, dhe njësi të tjera mbështetëse. Ushtrimi mori mbështetje nga Komanda e Operacioneve Speciale për Evropë e ShBA-së dhe synoi shkëmbimin e përvojave në përballimin e kërcënimeve komplekse të sigurisë. (këtu)

Gjatë stërvitjes, ata simuluan skenarë të ndryshëm, duke përfshirë operacione të zbulimit taktik, psikologjik, përdorimin e dronëve, dhe parandalimin e veprimeve të grupeve taktike sulmuese. (këtu)

Ndërkaq, me gjithë informacionet zyrtare të ofruara nga të përfshirët, artikulli i publikuar nga “Informer.rs” pretendoi se ky ushtrim u zhvillua pas paralajmërimit të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, se “Prishtina zyrtare po planifikon kaos në veri të Kosovës, duke tentuar të hapin me forcë urën mbi Ibër më 14 apo 15 gusht”.

Çka tha presidenti i Serbisë?

Presidenti serb, në një prononcim të tij, pretendoi se Ura e Ibrit do të hapet më 14 apo 15 gusht.

“Me 14 apo 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës mbi Ibër. Agjencitë e huaja do të mundohen të gjejnë liderë të rinj të serbëve, të cilët do të punojnë për Kurtin, por unë u them se nuk do t’ia dalin. I bëj thirrje KFOR-it që të reagojë dhe të pengojë hapjen e urës”. (këtu)

Por, ndërlidhja e mediumit “Informer” se ushtrimi “Valor Shield 2024” vjen një ditë pas deklarimit të presidentit serb Vuçiq dhe se i njëjti ka për qëllim të sulmojë serbët në Kosovë, nuk bazohet në asnjë fakt.

Pak kontekst për çështjen e hapjes së urës së Ibrit

Autoritetet e Kosovës kanë filluar procedurat përgatitore për hapjen urës mbi Ibër, për qarkullim automjetesh. Ky veprim ka hasur në kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi për këtë temë. Në të njëjtën kohë, serbët e Kosovës kanë organizuar protesta kundër hapjes së urës. (këtu)

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca. (këtu)

Bashkimi Evropian ka thënë se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. (këtu)

KFOR-i ka thënë se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve. (këtu)


Analiza:

Mediumi serb “Informer.rs” publikoi më 12 gusht një artikull që akuzon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përgatitjen e një sulmi ndaj serbëve në Kosovë, duke e lidhur këtë me ushtrimin fushor “Valor Shield 2024” të organizuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe trupat specialë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën.

Megjithatë, mediumi nuk ofron ndonjë fakt konkret që e lidh ushtrimin “Valor Shield 2024” me një sulm ndaj serbëve të Kosovës.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinormatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406