info@hibrid.info
Përmbajtja nuk ofron mundësi për të kontrolluar listën e rumbursimit për ujë, energji elektrike apo gaz
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin, ku pretendohet se ofrohen instruksione për të kontrolluar nëse jeni në listën e rimbursimit për ujë, energji elektrike apo gaz.

Ky pretendim është publikuar përmes një vegëze në formë imazhi, (14 shtator) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “DOC-shop”, në Facebook.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se e vetmja mundësi për rimbursim, është ajo për energjinë elektrike, e ofruar nga institucionet e Kosovës, për familjet e cënueshme.


Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës së përfshirë në imazhin e publikuar, ueb-faqja e shfaqur nuk jep informatat e pretenduara në njoftim. Në të dhënat e paraqitura, mungojnë informacionet për institucionin, që përfaqëson ueb-faqja dhe mungojnë të dhënat për kontakt (shih këtu).


Hibrid.info, po ashtu ka kontrolluar edhe kredibilitetin e domeinit të kësaj ueb-faqe me anë të platformës që vlerëson besueshmërinë e uebfaqeve, “Scam-detector.com”, ku tregohet se ueb-faqja e kontrolluar ka rrezikshmëri të lartë dhe është e pasigurt (shih këtu).

Ndërsa pas kontrollit të faqes në Facebook, e cila ka publikuar njoftimin e pretenduar është vërejtur numër i vogël i postimeve në kohështrirjen e saj dhe numër i vogël ndjekësish (këtu). Hibrid.info ka gjetur se të dhënat në transparencën e faqes, tregojnë se vendndodhja e personit që menaxhon me këtë faqe në Facebook, është Hong Kongu.


Si përfundim, hibrid.info ka gjetur se mundësia e vetmja mundësi rimbursimi në Kosovë, është ajo për energjinë elektrike, e ofruar për familjet e cënueshme nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), të cilat kishin filluar të subvencionohen që nga janari i këtij viti (shih këtu).

Hekuran Murati, ministri i MFPT njoftoi dje (16 tetor) në llogarinë e tij në Facebook, se është hapur për herën e dytë, aplikimi për Programin e Subvencionimit të Energjisë Elektrike për Konsumatorët e Cënueshëm (shih këtu).

Murati tregoi po ashtu se aplikimi mund të bëhet në eKosova, tek shërbimi “Grante dhe subvencione”, dhe do të jetë i hapur në vazhdimësi përgjatë programit (shih këtu).

Hibrid.info, në disa raste tjera e ka trajtuar pretendime të ngjashme (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimi se ofrohet mundësi për kontroll të listave të personave të rimbursuar për energji elektrike, ujë dhe gaz, është i pa qëndrueshem.

Publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë dhe nuk ka të bëjë me institucionet e Kosovës. E vetmja mundësi rimbursimi në Kosovë, është ajo për energjinë elektrike, e ofruar për familjet e cënueshme nga institucionet e Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »