Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale TikTok po qarkullon një përmbajtje me pretendimin se ka vdekur ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Përmbajtjet me këtë pretendim u publikuan dje (18 nëntor) nga dy llogari në TikTok “lot.dhe.vuajtje1” dhe “milaimzeka.exe.69”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar nga burime kredibile me pretendimin se ka ndërruar jetë ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.


Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “Ndërron jetë Isa Mustafa”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë publikim me këtë pretendim.
Duke qenë se Mustafa ishte kryetar i LDK-së, hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen zyrtare të këtij subjekti politik, e që në pjesën e njoftimeve nuk gjendet një informacion i tillë.
Po ashtu, as në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook, nuk ka njoftim për vdekjen e Mustafës.
Deri në shkrimin e këtij artikulli, postimi i publikuar nga llogaria “lot.dhe.vuajtje1” në TikTok ka arritur të grumbullojë afër 75 mijë shikime. (shih fotografinë më poshtë)

Ndërsa publikimi tjetër i bërë nga llogaria “milaimzeka.exe69” ka arritur të grumbullojë mbi 117 mijë shikime. (shih fotografinë më poshtë)

Analiza:
U publikuan përmbajtje në TikTok me pretendimin se ka ndërruar jetë ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Pas verifikimi të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Kjo pasi që një informacion i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë burim kredibil ose zyrtar.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajme të rreme”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.