Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka komentuar aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në Shtërpcë (8 prill), duke pretenduar ta paraqes këtë si veprim të autoriteteve të Kosovës për t’i dëbuar serbët lokalë.
Dje (8prill) Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kishin realizuar operacionin policor “Transporti 2”, për të hetuar rreth disa dyshimeve për kontrabandë me mallra.
Petkoviq, përmes një njoftimi të këtij institucioni serb (Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë), ka pretenduar pa fakte se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me forcat speciale të Policisë së Kosovës janë përpjekur që të frikësojnë qytetarët serbë të këtyre rajoneve, duke synuar dëbimin e tyre.
Ai shtoi se “kjo është hera e katërt në vetëm pak muaj që Kurti dërgon forca speciale të armatosura në Shtërpcë, të gjitha me qëllim të frikësimit dhe përpjekjes për të dëbuar serbët e mbetur nga kjo zonë më jugore serbe dhe ndërprerjen e lidhjeve të tyre me zonat e tjera serbe”.
Vegëza e komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:
Kjo komunikatë e kësaj zyre është publikuar edhe në portalin në gjuhën serbe “Kosovo-Online.com”, vegëzën e së cilës mund ta gjeni këtu.
Megjithatë, në raportin e Policisë së Kosovës, është njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës është zhvilluar ky aksion në në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, i cili ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale ndërkufitare.
Megjithatë, në raportin e Policisë së Kosovës, është njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës është zhvilluar ky aksion në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, i cili ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale ndërkufitare.
Pjesë nga raporti i Policisë së Kosovës lidhur me aksionin e djeshëm:
Sot me datën 08.04.2022, në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, është realizuar plani operative, në kuadër të të cilit Departamenti i Policisë Kufitare dhe Doganën e Kosovës, ka kryer kontroll në katër lokacione (tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën Mitrovicë Veri) dhe ka ndaluar, kontrolluar katër automjete me të cilat dyshohej se bëhej transport, gjegjësisht tregti e ndaluar dhe kontrabandë.
Gjate kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës. Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete.
Vegëzën e njoftimit të Policisë së Kosovës të publikuar në faqen zyrtare në Facebook mund ta gjeni këtu.
Analiza:
Petkoviq ka pretenduar pa fakte se aksioni i djeshëm në komunën e Shtërpcës, ka pasur për qëllim frikësimin dhe përpjekjen për të dëbuar serbët e mbetur nga kjo zone, duke shtuar se ky është qëllimi i Albin Kurtit.
Mirëpo ky pretendim i Petkoviqit nuk është argumentuar me asnjë fakt.
Ndërsa, në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se, së bashku me Doganën e Kosovës, kanë realizuar një operacion policor për luftim të kontrabandës në regjionin e Ferizajt dhe Mitrovicës se Veriut, ku është kryer kontroll në katër lokacione (tre në komunën e Shtërpcës dhe një në komunën Mitrovicë Veri).
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar deklaratën e Petkoviqit si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.