Shkroi: Festim Rizanaj
Përmes një reagimi në rrjetin social X, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka hedhur pretendime se në Kosovë po tentohet të tjetërsohet vullneti i qytetarëve i shprehur me votë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai pretendon se votat e Listës Serbe në këto zgjedhje nuk përputhen me të dhënat e KQZ-së, ndonëse ky institucion ka dalë me një sqarim në lidhje me këto anomali, një ditë para se Petkoviqi të reagonte.

Çka tha Petkoviqi?
“Për të tretën ditë KQZ nuk ka futur të dhënat nga 10 vendvotimet e fundit. Jemi në pritje të votave serbe nga Shilova dhe Soçanica, dhe numërimi i votave me kusht as nuk ka filluar. Sistemi i KQZ-së është në rënie, DnV thotë se besimi në procesin zgjedhor është dëmtuar, ndërsa votat për Listën Serbe nuk përputhen me të dhënat e KQZ-së. Shkatërrim i plotë”.
“KQZ tash e 20 orë nuk ka futur të dhëna nga 0.83% e vendvotimeve në Leposaviq, KM dhe Gjilan, dhe këto janë vota serbe të rëndësishme për Listën Serbe. Si është e mundur që votat nga 99.17% e vendvotimeve nga e gjithë Kosova e Metohia janë futur, por nuk janë futur votat serbe? Po tentohet të ndryshohet vullneti elektoral”, shkroi Petkoviqi në platformën X (këtu dhe këtu).
Çka tha KQZ-ja?
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, dje tha se në uebfaqen e KQZ-së, në platformën e rezultateve preliminare, numri i pjesëmarrjes është i ngarkuar për rreth 800 mijë votues, kurse sipas tij, te rezultatet preliminare të subjekteve politike, nëse mblidhet rezultati i të gjitha subjekteve politike, del që numri i votave është rreth 831 mijë.
“Arsyeja pse ndodhë kjo është sepse te rezultatet preliminare të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, janë ngarkuar më pak të dhëna nga vendvotimet, ndërkaq te rezultatet preliminare për subjekte politike janë ngarkuar më shumë se 99% e tyre, ndërkaq te rezultatet për pjesëmarrje në vendvotime, të dhënat janë ngarkuar nga 92% e vendvotimeve”, tha Elezi.
Analiza:
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, përmes një reagimi në rrjetin social X, ka pretenduar se po tentohet të ndryshohet vullneti qytetar i serbëve të Kosovës, i shprehur me votë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë pretendim ai e ka bazuar në të dhënat e publikuara deri më tani në ueb-faqen e KQZ-së, të cilat kanë mospërputhje.
Mirëpo, vetë institucioni qendror i organizimit të zgjedhjeve në vend, KQZ, dje gjatë ditës, përmes një konference për media, ka sqaruar situatën (siç është cekur më lart në këtë artikull).
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Dezinformata
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.