info@hibrid.info
Postimet nuk tregojnë se tërheqja e disa shisheve të Coca Colas nga tregu ka të bëjë me Austrinë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet disa artikujve është raportuar për tërheqjen nga tregu të një pjese të mallit të kompanisë së njohur të pijeve “Coca Cola”.

“Coca Cola heq mallin nga tregu, lajm i keq per ju qe e keni pire keto dite,u ja cfare u gjet brenda” është mbishkrimi i vendosur në një fotografi me shishe të Coca Colas, e që është publikuar në disa faqe në Facebook më 25 tetor.

E vërteta?

Hibrid.info ka verifikuar artikujt që kanë publikuar këto faqe në Facebook dhe ka gjetur se aty theksohet që kompania Coca Cola HBC Austria ka njoftuar për tërheqje të një sasie të shisheve nga tregu në Austri. Por për shkak se vendi nuk tregohet në përmbajtjen e publikuar në Facebook, dhe se publikimi është bërë nga faqe me përmbajtje në gjuhën shqipe, mund të lihet hapësirë për keqinformim se mos ka ndodhur ngjarja në vendet shqipfolëse.

Fotografia e njëjtë është publikuar në disa faqe të ndryshme në Facebook. Hibrid.info ka hasur në disa prej tyre. Të gjitha dërgojnë në artikuj në uebfaqet e dyshimta “tirana1.com”, “lajmeaktuale.info”, “shqip-lajme.com” e në të cilat nuk dihet kush e përbën redaksinë, adresa, kontakti apo elementet tjera që e bëjnë një faqe kredibile.

Përmbajtja u publikua nga faqet në Facebook: “Shkurt e Shqip”, “Skifteri”, “Shqip Press”, “Rilinda per te jetuar”, “Shqiptare hesapi”, “This is Albania”, “Shqip Lajme”, “Televizioni 24 +”, “Shqip press”.

Me titull që nuk ka treguar vendin e ngjarjes ka publikuar edhe portali i dyshimtë “atdheulajm.com”. Në faqen në Facebook “Atdheu Lajm” artikulli me titullin “Coca-Cola heq mallin nga tregu, ja çfarë u gjet brenda”, u shpërnda me mbishkrimin “Lajm i keq për konsumuesit e Coca-Colas…”


Çka ka njoftuar kompania?

Kompania Coca Cola HBC Austria ka thënë se vendimi është “masë parandaluese”. “Nuk mund të përjashtohet mundësia që një numër shumë i kufizuar i shisheve 0.5l PET të përmbajnë pjesë të vogla metali për shkak të një gabimi teknik në prodhim. Ne këshillojmë të mos konsumohen produktet që mund të jenë prekur, për shkak të rrezikut potencial shëndetësor”, thuhet në komunikatën që ka publikuar Coca Cola HBC në Austri më 23 tetor. Siç kanë raportuar mediat kredibile ndërkombëtare, si “DW”, bëhet fjalë për tërheqjen e 28 milionë shisheve.

Rreziku në vendet shqipfolëse

Pas vendimit për tërheqje të shishave të Coca Colas, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ka thënë se pijet që importohen në Kosovë nuk janë të prekura nga ky zhvillim. “Kosova nuk është e përfshirë në incidentin me prezencën e metaleve në pijen Coca-Cola”, ka thënë zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi për Telegrafin. Siç ka thënë Thaçi, autoritetet e Kosovës nuk kanë pranuar asnjë njoftim apo lajmërim nga sistemi i Bashkimit Evropian se mund të ketë dyshim se Kosova të jetë përfshirë në këtë rast.

Hibrid.info po ashtu ka gjetur distributorin e Coca Colas në Shqipëri. Në uebfaqen e “ccbs.al” nuk është gjetur asnjë njoftim për tërheqje të produkteve të Coca Colas në Shqipëri.

Edhe po që se kërkohet në motorin online të kërkimit “Google”, nuk del ndonjë artikull i ndonjë mediumi kredibil që do ta konfirmonte tërheqjen apo rrezikun nga produktet e Coca Colas në Shqipëri.


Analiza:

Në disa faqe me përmbajtje në gjuhën shqipe në Facebook ka qarkulluar një imazh me shishe të Coca-Colas me mbishkrimin “Coca Cola heq mallin nga tregu, lajm i keq per ju qe e keni pire keto dite,u ja cfare u gjet brenda”.

Hibrid.info ka verifikuar artikujt e publikuar nga këto faqe dhe ka gjetur se aty tregohet që tërheqja ka ndodhur në Austri. Por duke mos treguar në publikimin në Facebook vendin ku ka ndodhur ngjarja, është lënë hapësirë për keqinformim se një ngjarje e tillë mund të ketë ndodhur edhe në vendet shqipfolëse.

Pas hulumtimit nga hibrid.info deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk është hasur në ndonjë konfirmim se Kosova dhe Shqipëria mund të jenë prekur nga tërheqja e produkteve.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »