Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lumnije Gërxhaliu-Thaçi, bashkëshortja e Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës është rektore në Universitetin “Isa Boletini”, në Mitrovicë.
Përmbajtja është publikuar dje (18 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “me.qeverine.kurti3”.
Sa qëndron pretendimi?
Hibrid.info ka gjetur Gërxhaliu-Thaçi nuk e mban dhe nuk ka qenë asnjëherë në detyrën e rektores në këtë universitet.

Në bazë të komenteve në këtë postim, hibrid.info vlerëson se pretendimi mund të lexohet si i vërtetë nga audienca.
Hibrid.info ka kontrolluar në ueb-faqen e këtij institucioni të arsimit të lartë dhe ka gjetur se aktualisht pozitën e rektores e mban Prof. Dr. Nurten Deva.
Ish-zonja e parë ishte emëruar në vitin 2018, si prodekane e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike në Mitrovicë, pozitë të cilën nuk e ushtron aktualisht.
Hibrid.info ka gjetur se emri i saj figuron në ueb-faqen e Universitetit të Mitrovicës, në stafin akademik.
Analiza:
Pretendimi se Lumnije Gërxhaliu-Thaçi, është rektore në Universitetin “Isa Boletini”, në Mitrovicë, është i pasaktë.
Gërxhaliu-Thaçi kishte ushtruar detyren e prodekanes, në të kaluarën, në njërin nga fakultetet në këtë universitet dhe aktualisht është vetëm si staf akademik.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.