Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi u pretendua se Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur të angazhojë grupe hakerësh nga Maqedonia e Veriut dhe Hungaria për të prodhuar propagandë kundër opozitës në Kosovë dhe kundër Amerikës.
Ky pretendim në formë postimi u publikua në TikTok nga llogaria “bennymcbogi” me datë 7 tetor, të cilës i është bashkëngjitur edhe një fotografi.
Çka gjeti hibrid.info?
Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga anjë medium kredibil, ndërsa fotografia është marrë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur me 5 tetor.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës online të kërkimit “Google” në lidhje me këtë pretendim, por i njëjti nuk është gjetur i publikuar nga asnjë burim kredibil. (shih këtu)
Gjithashtu, përmes programit të automatizuar “InVID”, u vërtetua se fotografia e përdorur në postimin e publikuar në Facebook, është marrë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur me 5 tetor. (shih këtu)

Screenshot nga video e publikuar në Youtube nga kanali “KosovaPress”
Analiza:
Pretendimi se LVV ka vendosur të angazhojë hakerë për të prodhuar propagandë kundër opozitës në Kosovë dhe kundër Amerikës, është i rremë.
Kjo u vërtetua pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info. Një pretendim i tillë nuk është gjetur i publikuar nga asnjë burim kredibil.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.