Shkroi: Fatbardh Dema
Është publikuar një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se ofrohet subvencion për strehim, për 800 njësi banimi në Kosovë.
Në mbishkrimin e këtij postimi, pretendohet se për t’u regjistruar duhet që personi të jetë banor i Kosovës ose i huaj, mbi 45 vjeç, i pastrehë ose i papunë.
Postimi u publikua dje (5 nëntor) në Facebook nga faqja “Sanjida Nasrin-01”.

Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se mungojnë të dhënat bazike lidhur me këtë “subvencion”.
Ky pretendim është bërë përmes një imazhi në Facebook, të cilit i është integruar një vegëz që shfaqet pas klikimit në imazh.
Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës së përfshirë në imazhin e publikuar, ueb-faqja e shfaqur nuk jep asnjë informacion mbi ndonjë institucion që ofron këtë mundësi. Në hapësirën e ueb-faqes shfaqen disa opsione, të cilat pas klikimit në to, të dërgojnë në faqe kompanish të huaja, të cilat nuk është se ofrojnë mundësinë e reklamuar, e aq më pak në gjuhën shqipe. (shih fotografinë më poshtë)

Hibrid.info ka verifikuar kredibilitetin e kësaj ueb-faqe përmes platformës që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “Scamdoc.com”, ku tregohet se ajo ka besueshmëri të ulët dhe është e dyshimtë (shih këtu).
Analiza:
Përmbajtja që pretendon se ofrohet mundësi për subvencion për strehim në Kosovë, është e dyshimtë.
Mungojnë informatat se kush e ofron këtë mundësi dhe publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.