Disa llogari në TikTok gjatë ditëve të fundit kanë shpërndarë video-materiale me përmbajtje të sajuara, duke pretenduar se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar Serbinë.
Këto video-materiale përmbajnë material me pretendime të pavërteta se Erdogan ka reaguar me kërcënim ndaj Serbisë, në lidhje me ngjarjet e fundit që po ndodhin në veri të Kosovës.
Në njërën nga llogaritë në TikTok që mban emrin “rtvgjilanipress06”, në video-materialin e publikuar pretendohet gjoja që Erdogan është shprehur se “kosovarët i kemi vëllezër”, dhe se “Turqia është e gatshme ta sulmojë Serbinë”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se një deklaratë e tillë e presidentit turk nuk është e vërtetë, dhe se si e tillë nuk qëndron.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “rtvgjinalipress06”:
Në video-materialin e dytë të publikuar nga llogaria tjetër në TikTok “prizren.001”, është ngritur pretendimi se Erdogan për 5 minuta e bën rrafsh Serbinë.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “prizren.001”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se reagimi i vetëm i presidentit turk në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës ishte se, siç thuhet, ai është shprehur i gatshëm që shteti i tij (Turqia) të kontribuojë me pjesën e saj në procesin e dialogut. (shih këtu)
Pra, në asnjë rast, Erdogan nuk ka kërcënuar Serbinë në lidhje me ngjarjet në veri të Kosovës, siç mundohet të paraqitet në video-materialet e lartcekura.
Analiza:
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se video-materialet e publikuara në TikTok kanë publikuar video-materiale me përmbajtje të rreme.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto video-materiale si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.