Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, sot (18 shkurt) gjatë një konferencë për media ka pretenduar se Moska ka informacione se mercenarë nga Kosova si dhe nga Shqipëria e Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbasit në Ukrainë, raportojnë disa nga mediat online në Kosovë.
“Rusia po kontrollon me kujdes informacionin që sugjeron se mercenarët janë duke u rekrutuar në rajonin e Donbasit nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e vetëshpallur”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp.
Vegëza e konferencës për media ku Lavrov jep këtë deklaratë:
Lavrov këtë deklaratë e thotë të pabazuar në asnjë fakt apo evidencë që do ta mbështeste pretendimin e bërë.
Për me tepër, hibrid.info gjetur deklaratën e ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i cili thotë se ka pasur interesim nga kosovarët për të udhëtuar drejt shtetit ukrainas.
Por në intervistën e tij dhënë për “Euronews.al”, ai nuk përmend ndonjë rast që ndonjë qytetarë kosovarë të ketë shkuar për t’iu bashkuar ushtrisë ukrainase, ashtu siç pretendon Lavrov.
“Jemi të vetëdijshëm për mbështetjen e shprehur nga zyrtarët e Kosovës. Përveç kësaj, na drejtohen edhe qytetaret e Kosovës, me propozime dhe pyetje si shkohet në Ukraine, për të marrë pjesë në mbrojtën e Ukrainës. Të gjitha këto propozime dhe thirrje në e transmetojmë ministrisë sonë. Ukraina është ende në fazën e studimit të çështjes së njohjes së Kosovës”. (shih këtu)
Deklarata e Lavrovit është publikuar edhe në disa media online në Kosovë, vegëzat e të cilave mund t’i gjeni këtu, këtu dhe këtu, të cilat iu kanë referuar portaleve në gjuhën serbe. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, gjatë një konference për shtyp, ka pretenduar se Moska ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbasit.
Mirëpo, Lavrov këtë pretendim nuk e bazon në asnjë fakt.
Në anën tjetër, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, në një intervistë për “Euronews.al”, ka thënë se ka pasur interesim nga kosovarët për të udhëtuar drejt Ukrainës për të marrë pjesë në mbrojtën e këtij shteti, por nuk përmend ndonjë rast që ndonjë qytetarë kosovarë të ketë shkuar për t’iu bashkuar kësaj ushtrie, ashtu siç pretendon Lavrov.
Pas verifikimit të fakteve bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar deklaratën e Lavrovit si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.