info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte se incidenti në një kishë në Rahovec është kryer nga shqiptarët
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Mediumi në gjuhën serbe, “Alo.rs”, ka publikuar një artikull me pretendimin se në natën mes 1 dhe 2 prillit 2025, një person me maskë ka hyrë në kishën e Shën Marisë në Rahovec dhe ka shkatërruar flamurin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe, që ndodhej në hapësirën përreth kishës.

Ky medium në titull pretendon se personi i maskuar i cili e ka kryer veprën është shqiptar, por për këtë nuk ofron fakte. 

Çka ndodhi në kishën e Shën Mërisë në Rahovec?

Sipas kamerave të sigurisë, ngjarja është regjistruar në orën 00:36, kur personi ka arritur deri te porta e kishës dhe pas 9 minutash ka hyrë në oborr dhe ka shqyer flamurin. Dioqeza Rashkë-Prizren ka kërkuar menjëherë reagim.

Në natën mes 1 dhe 2 prillit 2025, një person me maskë është regjistruar nga kamerat e sigurisë pranë Kishës së Shën Marisë në Rahovec, ku ka hyrë në oborr dhe ka shkatërruar flamurin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe. Pasi ka shqyer flamurin, ai ka vjedhur një flamur tjetër. Ngjarja është raportuar menjëherë në polici. Dioqeza Rashkë-Prizren ka theksuar se flamuri i shkatërruar nuk është një flamur politik, por flamuri zyrtar i Kishës Ortodokse Serbe, pa bërë të ditur motivet dhe dyshime për kryesit e veprës. (këtu)

Në raportin e policisë, lidhur me rastin thuhet se, më 02.04.2025 në ora 00:36, ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se persona të panjohur dyshohet të kenë depërtuar me forcë në objekt dhe kanë dëmtuar dhe marrë dy flamuj. Pra, Policia e Kosovës i referohet të dyshuarit si i panjohur, pasi nuk ka arritur të identifikojë personin.

Lidhur me rastin, ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila ka theksuar se shqyerja e flamurit të kishës në Rahovec është e inspiruar nga retorika antiserbe e përditshme e Prishtinës. (këtu) Kjo Zyrë ndërlidhë pa fakte incidentet në vendbanimet me shumicë serbe, apo që lidhen me komunitetin serb në Kosovë, me pretendimin se nxiten nga Prishtina zyrtare, Qeveria dhe kryeministria.


Analiza:

Mediumi “Alo.rs” ka publikuar një artikull me pretendimin se një person i maskuar ka shkatërruar flamurin zyrtar të Kishës Ortodokse Serbe në Rahovec, duke e lidhur këtë incident me komunitetin shqiptar, por pa ofruar prova për këtë.

Sipas kamerave të sigurisë, ngjarja është regjistruar më 1 prill 2025, ku një person i maskuar ka hyrë në oborr dhe ka shqyer flamurin, duke vjedhur një flamur tjetër, ndërsa Policia e Kosovës nuk ka mundur të identifikojë autorin.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar duke e lidhur incidentin me retorikën antiserbe të Prishtinës, por pa paraqitur prova konkrete lidhur me motivet ose identitetin e kryesve të veprës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »