[email protected]
Pretendohet pa fakte se në Kosovë po organizohen trajnime të ISIS-it
shape
shape
shape

Media serbe “B92.net” ka publikuar një artikull, përmes së cilit mundohen të ngritin pretendime të pa bazuar se në Kosovë vazhdon të paraqitet problem serioz ekstremizmi i dhunshëm me motive fetare.

Në titullin e artikullit të publikuar të enjten (9 dhjetor), autori ngritë dilemën se në Kosovë vazhdon të ketë aktivitete që shërbejnë në përgatitjen e luftëtarëve e të ashtuquajturit Shtetit Islamik (ISIS).

Titulli i artikullit i përkthyer në shqip:

Në të ashtuquajturën Kosovë po përgatiten pjesëtarët e Shtetit Islamik?


Mirëpo, ky pretendim i ngritur në titull nuk arrin të argumentohet në përmbajtje. Artikulli i “B92.net” është ndërtuar duke u bazuar në një kronikë televizive të televizionit tjetër serb “Prva”, të shkëputur nga një edicion i tyre i lajmeve.

Përmbajtja është e konstruktuar nga disa supozime dhe një prononcimi të ekspertit të sigurisë në Kosovë, Nuredin Ibishi.

Autori në fillim të artikullit i referohet burimeve amerikane, në mënyrë të përgjithësuar, për prezencë të një njësiti ushtarak të përbërë nga shqiptarët, që luftojnë në Siri.

Pjesë nga artikulli i B92.net i përkthyer në shqip:

Sipas burimeve amerikane, në Siri vepron një njësi e Shtetit Islamik e përbërë ekskluzivisht nga shqiptarë.

Përderisa në botë dënimet për luftëtarët në fushëbeteja e huaj janë drastike, në Kosovë dhe Metohi janë pothuajse simbolike, sikurse numri i luftëtarëve të dënuar të ISIS-it.

A po trajnohen në Kosovë anëtarët e Shtetit Islamik?

Nga viti 2012 deri në vitin 2019 në Siri kanë shkuar rreth 253 burra, disa prej tyre janë larguar me familjet e tyre, ndërsa në vitin 2019 janë kthyer 110 persona dhe pritet kthimi i të tjerëve. “Pritet të kthehen edhe 96 persona, 43 prej tyre meshkuj. Ne kemi marrë masa”, tha eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi Ljeka.

Vitet e fundit, në Kosovë ka pasur arrestime pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në organizata terroriste.

Publiku ka frikë se disa nga anëtarët e ISIS ecin lirshëm mes tyre çdo ditë.“Ekziston rreziku i përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”, shtoi Nuredin Ibishi, Leka.

Vegëza e artikullit të publikuar në B92.net:

https://www.b92.net/info/vesti/index.php?yyyy=2021&mm=12&dd=09&nav_category=640&nav_id=2070920&fbclid=IwAR1RyqKQrS4COeeQIOujZPJKpc976vrrVHGs14nR-l5r7bB94CrXSmHcWzw


Siç mund të shihet, në këtë artikull nuk argumentohet pretendimi i ngritur në titull dhe në disa parafrazime brenda përmbajtjes. Pra nuk ka përgjigje për pyetjen e ngritur nëse në Kosovë po organizohen përgatitje të ushtarëve të Shtetit Islamik.

Artikuj të tillë nga mediat serbe me pretendime të pa bazuar se në Kosovë ekziston rreziku nga pjesëtarë të grupeve radikale fetare, janë bërë edhe më parë. Hibrid.info ka arritur t’i dekonstruktojë disa prej tyre. (Shih këtu)


Argument tjetër që kundërshton këto pretendime janë edhe raportet e instituteve kredibile vendore e ndërkombëtare, gjetjet e të cilave tregojnë për rënie të dukshme të prezencës së individëve të përfshirë në këto grupe radikale, e aq më pak ekzistimin e ndonjë aktiviteti për përgatitjen e tyre në Kosovë.

Sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) të publikuar në tetor të vitit 2018, thuhet se të kthyerit nga luftërat e Lindjes së Mesme, paraqesin një rrezik fare të vogël, gjë që bije në kundërshtim me pretendimin e këtyre artikujve.

Pjesë nga konkluzioni i raportit “Përtej Shkaktarëve: Rreziqet e reja të Ekstremizmit të Dhunshëm në Kosovë”, të përgatitur nga QKSS: (Shih këtu)

“Deri më tani, shumica e luftëtarëve të huaj të Kosovës, që u kthyen pas luftimeve me IS, janë duke u gjykuar ose janë dënuar për angazhimin e tyre në aktivitete terroriste. Përkundër numrit të madh të luftëtarëve të huaj të kthyer në Kosovë, angazhimi i tyre në veprimtarinë terroriste është relativisht i ultë. Nga 135 luftëtarët e huaj që u kthyen në Kosovë pas ndarjes me IS në Siri dhe Irak, 5 nga ta u përfshinë në planifikimin e sulmeve terroriste ose në incidente të tjera në Kosovë”.


Analiza:

Artikulli i medias serbe “B92.net” ngritë një pretendim në titull, të cilën nuk e argumenton me asnjë fakt në përmbajtje. Pra pretendimi i ngritur në titull “A po trajnohen në Kosovë anëtarët e Shtetit Islamik?” nuk përputhet fare me përmbajtjen e artikullit.

Bazuar në metodologjinë e hibri.info, ky artikull vlerësohet si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others