[email protected]
Pretendohet pa fakte se Rama e ka vlerësuar Rugovën si “të poshtër” dhe që “futet në det me shall”
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që paraqet një shkrim të botuar në një gazetë, me autor kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe e titulluar “Vota kundër projektit është votë proteste kundër Sali Berishës”.

Kjo fotografi është publikuar me 11 qershor, në faqen e gazetarit Çim Peka në Facebook, me mbishkrimin që pretendon se Rama nëpërmjet këtij teksti, në vitin 1994, kishte shkruar se “Rugova eshte Presidenti kosovar i Sali Berishes, eshte i poshter dhe ne det futet me shall”.

Cila është e vërteta?

Pas verifikimit të këtij artikulli, është gjetur se kryeministri Rama, nuk ka dhënë disa nga cilësimet e pretenduara për ish-presidentin Ibrahim Rugova.


Vegëza e imazhit të publikuar nga faqja me emrin “Cim Peka live” në Facebook:

https://archive.is/cKKcg


Duke iu referuar publikimit të gazetarit Peka, disa nga mediat në gjuhën shqipe kanë raportuar për pretendimin e tij në portalet e tyre (shih këtu, këtu dhe këtu).

Hibrid.info ka hulumtuar dhe e ka gjetur artikullin e plotë të Ramës, nga i cili është bazuar pretendimi i Pekës.

Ky shkrimi i Edi Ramës i vitit 1994, është publikuar në disa portale në gjuhën shqipe, në vitin 2015 (shih këtu, këtu dhe këtu).


Pas verifikimit të përmbajtjes së asaj që ka shkruar Rama atëkohë, hibrid.info ka gjetur se në asnjë fjali të tekstit, nuk është gjetur vlerësimi për presidentin Rugova si “i poshtër” dhe po ashtu artikulli nuk përmban as komentin e pretenduar të Ramës për Rugovën, se ai “futet në det me shall”.

I vetmi pretendim i saktë nga ajo që është shkruar nga Peka, është fakti se Rama në shkrimin e vitit 1994 e ka cilësuar Ibrahim Rugovën si “presidenti kosovar i Sali Berishës” (shih këtu).

Po ashtu, hibrid.info ka hasur edhe në një video-material, nga një intervistë e Edi Ramës, ku ky i fundit sqaron mendimin e tij për Rugovën, në periudhën e mëhershme (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se kryeministri shqiptar Edi Rama e ka cilësuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në vitin 1994, si “të poshtër” dhe si person që “futet në det me shall”, është i pafaktueshëm.

Hibrid.info ka gjetur se në shkrimin nga i cili është bazuar pretendimi, nuk provohet se Rama ka dhënë komentet e supozuara për Rugovën.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »