[email protected]
Pretendohet pa fakte se SHBA dhe BE kanë shprehur vendosmëri për sanksione të reja ndaj Kosovës
shape
shape
shape

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar dje (22 shkurt) një artikull me titull “Kjo është çmenduri/ SHBA-BE të vendosura për sanksione të reja”.

Ndonëse në titull nuk sqarohet se për cilin vend bëhet fjalë, në bazë të fotografisë se bashkangjitur artikullit, kuptohet se bëhet fjalë për sanksione të reja të mundshme për Kosovën, nga SHBA dhe BE.

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, kreu i këtij artikulli është gjetur i shkruar në një artikull tjetër analitik (21 shkurt) të portalit në gjuhën serbe “kosovo-online.com”,  ndërsa informacioni i paraqitur në titull bazohet në deklartatat e ekspertëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i qartë, për dallim prej artikullit të “kosovo-online.com”.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “ntv.al”:


Paragrafi i parë i artikullit të portalit “ntv.al”:

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar sepse sipas tyre, nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të qetësuar situatën në veri. Që atëherë, vajtimi i zyrtarëve kosovarë për “sanksionet e vendosura në mënyrë të padrejtë” nuk ka të ndalur, ndonëse rëndësia dhe efekti i tyre është mbi të gjitha politik dhe simbolik.


Me anë të hulumtimit nëpërmjet makinave të kërkimit, ky paragraf është gjetur se është marrë nga një artikull i “kosovo-online.com”, i publikuar më 21 shkurt, me titullin  “A po përgatit Perëndimi sanksione të reja ndaj Prishtinës: Retorika po ashpërsohet, gjendja për serbët po bëhet më e ashpër”, në të cilin qysh në fillim sqarohet se bëhet fjalë për artikull analitik (shih këtu).

Pjesa e përkthyer e marrë nga artikulli analitik i “kosovo-online.com”:

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, sepse ajo nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të qetësuar situatën në veri. Që atëherë, zyrtarët e Kosovës nuk kanë reshtur së vajtuari për “sanksionet e vendosura padrejtësisht”, edhe pse rëndësia dhe efekti i tyre është mbi të gjitha politik dhe simbolik.


Po ashtu në hulumtimin e artikullit të “ntv.al”, është vërtetuar se informacioni i paraqitur për sanksione të reja ndaj Kosovës nga SHBA-të dhe BE, në titull, nuk është bazuar në paralajmërime të zyrtarëve të këtyre vendeve, por nga deklarimet e ekspertëve, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur.


Ndërsa në kërkimin nëpërmjet makinës së kërkimit, “Google”, në lidhje me informatat rreth sanksioneve të reja ndaj Kosovës, hibrid.info nuk ka gjetur lajme nga burime zyrtare që konfirmojnë ato (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi i titullit të një artikulli të publikuar nga “ntv.al”, në të cilin thuhet se SHBA-të dhe BE janë të vendosura për sanksione të reja ndaj Kosovës, nuk është i qëndrueshëm.

Informacioni i publikuar është bazuar nga deklarimet e ekspertëve dhe jo nga ato të zyrtarëve perëndimorë si dhe po ashtu një pjesë e përmbajtjes së tij duket se është marrë nga artikulli analitik i publikuar nga “kosovo-online.com”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »