info@hibrid.info
Pretendohet pa fakte se “SHBA dhe NATO po përgatisin një revolucion në Serbi me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës”
shape
shape
shape

Mediumi pro-pushtetit në Rusi, Russia Today, ka publikuar një artikull të agjencisë shtetërore ruse “Ria Novosti” në titullin e së cilit pretendohet se “SHBA dhe NATO po përgatisin një revolucion në Serbi me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës”.

Ndonëse në titull është ndërtuar në formë pyetëse, me pikëpyetje në fund, nuk sqarohet se ky është vetëm mendim i një studiuesi rus dhe jo ndonjë studim kredibil.

I gjithë pretendimi pra ndërtohet vetëm në opinionin e studiuesit rus Aleksandar Bartos, anëtar i Akademisë së Shkencave Ushtarake të Rusisë, i cili bazohet vetëm në zhvillimet e fundit, por jo në ndonjë fakt konkret.

Publikimi i këtij artikulli në RT Balkan:

https://lat.rt.rs/rusija/33680-sad-nato-kosovo-obojena-revolucija-kfor/

Ndonëse artikulli është produkt i “Ria Novosti”, në pamundësi që ta shoh atë, si rezultat i ndalesave ndaj mediave shtetërore ruse (këtu), hibrid.info e ka trajtuar atë të ripublikuar nga Russia Today në gjuhën serbe, i cili vazhdon të jetë i qasshëm për audiencën kosovare (shih artikullin e hibrid.info këtu).


E gjithë përmbajtja e publikuar në këtë artikull është e bazuar në opinionin e këtij anëtari të Akademisë së Shkencave Ushtarake ruse.

Pra, siç mund të kuptohet, ky hulumtues rus, të gjithë analizën e tij e bazon vetëm në zhvillimet e fundit në veri dhe tenton të ndërlidhë ato me fushatën ajrore të NATO-s të vitit 1999. Për më tepër, ai thotë se ky plan ka për qëllim edhe të nxitë luftë kundër Serbisë.

Pjesë autentike të artikullit të RT Balkan në gjuhen serbe:

SAD i NATO trenutno vode politiku koja ima cilj da pripremi kosovske Albance za posrednički rat protiv Srbije i organizuju obojenu revoluciju u Srbiji. To je na kraju isprovociralo potpuno pravedan protest srpskog stanovništva Kosova i Metohije, a situaciju u pokrajini je dovelo do ivice vojnog sukoba

E përkthyer në shqip:

SHBA dhe NATO aktualisht po ndjekin një politikë që synon përgatitjen e shqiptarëve të Kosovës për një luftë kundër Serbisë dhe organizimin e një revolucioni me ngjyra në Serbi. Kjo në fund provokoi një protestë krejtësisht të drejtë të popullatës serbe të Kosovës dhe Metohisë dhe solli situatën. në provincën në prag të një konflikti ushtarak


Autori i këtij artikulli, përpos që publikon një opinion që nuk ofron fakte, nuk ofron asnjë fakt shtesë që do të mund të mbështeste pretendimin në titull.

Në fakt, ngjarjet që rrodhën së fundi, pak para incidenteve në pjesën veriore të Kosovës, kanë një ecuri tërësisht të kundërt me atë që pretendohet përmes këtij artikulli.

Ishin vet përfaqësuesit e lartë amerikanë që dolën kundër vendimit për t’i dërguar menjëherë kryetarët e sapo-zgjedhur të komunave në veri të Kosovës.

Ishte vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken që kritikoi këtë vendim, duke thënë se këto veprime janë marrë “në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës” (këtu).

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një reagimi që u publikua edhe nga vet ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier, u shprehën kundër veprimeve të autoriteteve kosovare të premten e kaluar (këtu).

Edhe senatori amerikan, Chris Murphy, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, përmes një cicërime (këtu) u shpreh kundër. 

“Si një mik i Kosovës jam zënë në befasi dhe ai [Albin Kurti] duhet ta ndalojë këtë provokim menjëherë”.

Ndërkohë, edhe reagimi përfaqësuesve të KFOR-it, një mision ushtarak i NATO-s, demanton pretendimin se këta të fundit janë pjese e një plani të tillë. Përmes një deklarate të publikuar (këtu), nga ky mision paqeruajtës u shprehën kundër zhvillimeve të së premtes së kaluar (26 maj).


Analiza:

Nga faktet e trajtuar dhe verifikuar nga hibrid.info, rezulton se në këtë artikull nuk është argumentuar fare pretendimi i bërë përmes titullit.

Të gjitha aludimet e bëra nga i intervistuari (Aleksandar Bartos), nuk bazohen në fakte, përpos interpretimit të zhvillimeve të fundit. Megjithatë, interpretimi duket të mos jetë i saktë, bazuar në faktet e trajtuara nga hibrid.info.

Sipas metodologjisë, ky artikull merr vlerësimin “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »