[email protected]
Pretendohet pa fakte se shqiptarët hodhën granatë në oborrin e një familjeje serbe në fshatin Mogillë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

*Ky artikull u përditësua me njoftimin e Policisë së Kosovës lidhur me këtë ngjarje

“Një granatë dore është vendosur në oborrin e shtëpisë së familjes së Ivica Gjuziqit nga fshati Mogillë”, mban titullin komunikata e lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në këtë komunikatë, kjo zyrë ka pretenduar se kjo vepër është kryer nga shqiptarët, duke shtuar se ngjarje të tilla po ndodhin për t’i frikësuar serbët, “në mënyrë që të përmbushet ëndrra e Albin Kurtit, për spastrim etnik”.

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se për të gjitha këto pretendime, kjo zyrë nuk paraqet fakte që do t’i mbështesnin ato.


Vegëza e komunikatës së publikuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://archive.is/ywDYQ


Pjesë nga komunikata e lëshuar nga kjo zyrë, e përkthyer në shqip:

Familjes së Ivica Gjuziqit nga fshati Mogillë afër Vitisë i është vendosur një granatë dore në oborrin e shtëpisë së tyre dhe vetëm për fat nuk ka pasur pasoja të rënda.

Familja Gjuziq ka qenë shënjestër e shqiptarëve vendas për një kohë të gjatë dhe djali i Ivicës, Boban Gjuziq, u sulmua dhe u godit me thikë nga një grup të rinjsh shqiptarë në fillim të vitit të kaluar, dhe tani ata u përballën me një sulm të ri. Bëhet fjalë për frikësime dhe presione të reja ndaj serbëve që të largohen nga pragu i derës së tyre, për t’ia përmbushur ëndrrën krijuesit të persekutimit ndaj popullit serb, Albin Kurtit, për spastrimin etnik të zonës së Kosovës dhe Metohisë.


Mediumi online në gjuhën serbe “Kurir.rs” ka publikuar këtë komunikatë të kësaj zyre, por në artikull ka pretenduar se kryefamiljari i familjes Gjuziq, për këtë ngjarje ka njoftuar edhe policinë. (shih këtu)

Pjesë nga artikulli i publikuar në Kurir.rs, i përkthyer në shqip:

Serbi kujton se një vit më parë djali i tij Boban ishte në shënjestër të shqiptarëve vendas të cilët e goditën me thikë sepse dyshohet se e kishte lënë një qen t’i sulmonte. Ai thekson se përkundër të gjitha sulmeve, mbijeton në pronën e tij të rrethuar nga shqiptarët, sepse ndodhet në pjesën shqiptare të këtij fshati multietnik.

E ndërsa sqaron se për ngjarjen e fundit ka njoftuar menjëherë policinë, që të mos akuzohen vetë, si në rastin e sulmit të vitit të kaluar ndaj djalit të tij se ai e shkaktoi incidentin, Ivica thekson se është fat i madh që bomba nuk shpërtheu.


Duke pas parasysh se komunikata e lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nuk tregon datën se kur ka ndodhur ky rast, por e njëjta është publikuar me 26 maj, hibrid.info ka gjetur raportet e Policisë së Kosovës për katër ditët e fundit.

Në asnjërën nga datat 23, 24, 25 e 26 maj, në raportet e Policisë së Kosovës, nuk është raportuar për një ngjarje të tillë. (shih fotografitë më poshtë)


*Ndërsa në pasditen e së hënës (27 maj), Policia e Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se granata e dorës dyshohet se në vendin e ngjarjes ka qenë prej shume vitesh (që nga paralufta). (shih këtu)


Komunikata e lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjeti vend edhe në publikimet nga shumë media në gjuhën serbe, të cilat po ashtu pretenduan pa fakte se kjo vepër është kryer nga shqiptarët, duke shtuar se ngjarje të tilla po ndodhin për t’i frikësuar serbët. (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pa u mbështetur në fakte, ka pretenduar se shqiptarët kanë hedhur granatë në shtëpinë e një familje serbe në fshatin Mogillë.

Kjo komunikatë u publikua edhe nga disa media në gjuhën serbe. Mediumi “Kurir.rs” në artikullin lidhur me këtë ngjarje thotë se kryefamiljari i familjes Gjuziq, për këtë ngjarje ka njoftuar edhe policinë.

Policia e Kosovës në raportet ditore të katër ditëve të fundit (23, 24, 25 dhe 26 maj), nuk ka raportuar në lidhje me këtë ngjarje.

E në një njoftim pas trajtimit të këtij pretendimi nga hibrid.info, Policia e Kosovës ka treguar se bëhet fjalë për një mjet shpërthyes që dyshohet se është që nga paralufta.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson pretendimet e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe “Kurir.rs” si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406