[email protected]
Pretendohet rrejshëm për publikimin e një sondazhi të ri me të dhëna të raportuara në nëntor të 2022-s
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar për publikimin e një sondazhi për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë.

“Sondazhi i fundit për zgjedhjet nacionale” mban përshkrimi që faqja “Drejt News” në Facebook i ka vënë një fotografie në të cilën shihen kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, si dhe përqindjet që pretendohet t’i kenë partitë e tyre. Aty pretendohet se në sondazh, VV-ja ka 33.9 për qind e LDK-ja 25.6.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se nuk bëhet fjalë për ndonjë publikim të ri e se shifrat janë marrë nga një sondazh për të cilin kishte raportuar mediumi në gjuhën shqipe “nacionale.com” para gati dy vjetësh.


Vegëza e publikimit të “Drejt News” në Facebook më 8 qershor:

https://archive.is/CEQuK

Në këtë publikim nuk përmendet burimi i sondazhit.


Çka gjeti hibrid.info?

Hibrid.info ka kërkuar në “Google” me fjalët: “sondazhi i fundit, VV, LDK”. Aty nuk u gjet ndonjë artikull me përqindjet e njëjta, i publikuar muajve të fundit. Nga ky kërkim u gjet artikulli me titull “Sondazhi i fundit: LDK-ja e Abdixhikut e vazhdon rritjen, VV-ja e vazhdon rënien” i publikuar nga mediumi “nacionale.com” më 1 nëntor 2022.

Sipas raportimit, në të cilin “nacionale.com” theksonte se sondazhet i ka parë “nga një kompani e marrëdhënieve me publikun e të cilat janë publikuar gjatë ditës së djeshme”. Aty, sipas raportimit, ishte shtruar pyetja “nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel, për cilën parti politike do të votonit?”.

E në rezultate, sipas “nacionale.com”, LDK-ja do të merrte 25.6 për qind të votave. Për Vetëvendosjen raportonte se ka rënë në 33.9 për qind. Në këtë raportim, Partia Demokratike e Kosovës ishte renditur e treta me 20.1 për qind të votave. 


Nuk është rasti i parë që publikohen sondazhe keqinformuese muajve të fundit. Hibrid.info të mërkurën (10 korrik) publikoi një listë të përmbajtjeve të tilla që janë publikuar muajve të fundit lidhur me çështjen e zgjedhjeve (shih këtu).


Analiza:

Faqja “Drejt News” në Facebook ka publikuar një imazh të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa përqindje, për të cilat ka pretenduar se janë të një sondazhi aktual.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se nuk ka pasur ndonjë sondazh muajve të fundit që ka nxjerrë rezultate të tilla, e se përmbajtja e trajtuar ka marrë të dhënat nga një raportim i nëntorit të vitit 2022.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »